Shënohet viktima e dytë e atentatit të Rinasit/ Ndërron jetë në spital Muçi Shaljani

Muçi Shaljani, i njohur edhe me mbiemrin Sheqeri, ka ndërruar jetë mbrëmjen e djeshme në Spitalin e Traumës, ku po trajtohej prej katër ditësh pas plagëve të marra në atentatin e 11 nëntorit, në rrethrrotullimin e Rinasit.

Ai kishte mbërritur në spital në gjendje të rëndë, pasi ishte qëlluar me 10 plumba, mes tyre edhe dy në kokë.

Shaljani, i cili shoqëronte Gilmando Danin pas një udhëtimi në Spanjë, prej disa muajsh ishte emëruar oficer në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore.

Në atentat, viktimë mbeti gjithashtu Gilmando Dani, një emër i njohur për organet ligjzbatuese dhe i konsideruar prej vitesh njeriu më i afërt i Emiljano Shullazit.

Dani ishte arrestuar së bashku me Shullazin në vitin 2015 dhe ishte liruar me kusht në vitin 2023, pasi kishte kryer dy të tretat e dënimit.

Edhe pse ndaj tij nuk janë ngritur akuza të rënda ndër vite, lidhjet e ngushta me Shullazin dhe prania e tij në disa episode të natyrës kriminale e kishin bërë figurë të dyshuar dhe të monitoruar vazhdimisht nga policia.