Turqi/ 36-vjeçari shqiptar humb jetën pas trajtimit për mbjellje flokësh dhe procedurës dentare

Një 36-vjeçar shqiptar, Mentor Rama, me shtetësi britanike, ka humbur jetën në Stamboll pasi iu nënshtrua një transplanti flokësh dhe më pas trajtimeve dentare. Mediat e huaja raportojnë se ai kishte mbërritur në Turqi javën e kaluar për procedura kozmetike.

Fillimisht, ai kreu një transplanti flokësh në Klinikën Dymed, një qendër private e njohur në Stamboll. Pas ndërhyrjes, ai u akomodua në një hotel në lagjen Sisli, një zonë e frekuentuar shpesh nga turistët që udhëtojnë për trajtime mjekësore. Ditën pasuese, ai shkoi në Klinikën Dentare Aqua, në kompleksin Vadi Istanbul, për kujdes dentar. Pas rikthimit në hotel, ai nisi të ndjente shqetësime serioze.

Ekipet e urgjencës ndërhynë menjëherë dhe e dërguan në spital, por mjekët nuk arritën ta shpëtonin, dhe ai ndërroi jetë më 11 nëntor. Autoritetet turke kanë hapur një hetim për ngjarjen. Trupi i të ndjerit u dërgua në Këshillin e Mjekësisë Ligjore për autopsi, ndërsa pas përfundimit të procedurave iu dorëzua familjes dhe u kthye në vendlindje.