Në Gjykatën e Posaçme vijon procesi ndaj Plarent Dervishajt dhe Julian Meçajt, të akuzuar për atentatin ndaj ish-prokurorit Arjan Ndoj, ku humbi jetën shoferi Andi Maloku. Në seancën e sotme është paraqitur Luan Mata, babai i të shumëkërkuarit Ervin Mata, objekt i një shpërthimi me tritol në hotelin e tij “Viktoria” në vitin 2020.
Në dëshminë e tij, biznesmeni deklaroi se shpërthimi e ka gjetur brenda hotelit:
“Kam operuar dy biznese, hotel Viktoria dhe Viktoria Construction. Nuk kam pasur konflikte me askënd. Në vitin 2020 ka ndodhur një incident, isha brenda në hotel në momentin e shpërthimit. I gjithë objekti është i survejuar me kamera. Kam dy fëmijë. Nuk kam asnjë ide kush e ka vendosur tritolin”, – tha ai.
Sipas SPAK, tritoli është vendosur nga Ramazan Rraja, në bashkëpunim me Plarent Dervishajn dhe Julian Meçajn. Megjithatë, asnjëri prej personave të përfshirë nuk ka pranuar të flasë në lidhje me akuzat.
Në seancë u thirrën edhe persona të dënuar më herët në lidhje me atentatin ndaj Ndojit.
Julian Pjetri, i dënuar me 4 vite e 4 muaj burg, deklaroi shkurt:
“Nuk dua të jap shpjegime, përfitoj nga e drejta që më jep ligji.”
Genti Nderjaku, i dënuar me 5.4 vite burg, mbajti të njëjtin qëndrim:
“Nuk dua të përgjigjem.”
Ramazan Rraja, i dënuar me 6 vite burg dhe i akuzuar për vendosjen e tritolit në hotelin “Viktoria”, tha se dëshiron të flasë, por jo pa avokatin e tij:
“Dua të dëshmoj, por avokati im mungon. Do flas herën tjetër.”
Ndërkohë, edhe Amar Shkëmbi, i ekstraduar së fundmi nga Dubai, refuzoi të pyetej, duke deklaruar se do të përfitojë nga e drejta për të mos u përgjigjur.
Procesi pritet të vijojë me dëshmi të tjera, ndërsa SPAK po përpiqet të zbardhë rolin e secilit të akuzuar në atentatin e rëndë ndaj ish-prokurorit dhe shpërthimin e tritolit në hotelin “Viktoria”.