Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim kryetaren e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufi, e cila akuzohet për “Përdorim të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”. Sipas SPAK, Bufi ka ushtruar presion ndaj një shtetasi me inicialet G.B., duke i kërkuar që të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023 dhe të mos përfshihej në aktivitete politike të partive të tjera.
Hetimi nisi pas publikimit në media, më 6 maj 2023, të një audio-përgjimi ku kryebashkiakja dëgjohej duke i kërkuar qytetarit:
“Të mos hapësh gojë, as ti as familja jote… të rrish në shtëpi dhe të mos shkosh fare të votosh.”
Sipas SPAK, Bufi i kishte bërë presion G.B.-së duke i kujtuar se ishte përfitues i një programi social të bashkisë për përmirësimin e kushteve të banimit, teksa punonjës të IMT-së kishin shkuar në banesën e tij pak ditë para takimit, duke e paralajmëruar për një ndërtim të supozuar pa leje.
Në vijim, kryebashkiakja e kishte thirrur qytetarin në ambientet e bashkisë, ku sipas hetimeve, biseda ishte zhvilluar në formë presioni. Asaj i është gjetur dijeni për faktin që G.B. i kishte dërguar mesazhe mbështetëse kandidatit të opozitës, çka sipas hetuesve dyshohet të ketë ndikuar në qëndrimin e saj.
SPAK sqaron se kërkesa e Bufit është bërë nën kërcënimin e masave administrative dhe në kundërshtim me vullnetin e qytetarit, i cili, pavarësisht presionit, votoi më 14 maj sipas dëshirës së tij.
E pandehura Majlinda Bufi pritet të përballet me gjykimin për shkeljen e nenit 328/a/3 të Kodit Penal, që ndalon përdorimin e funksionit publik për qëllime politike apo zgjedhore.