Policia ka bërë publike detaje të reja nga operacioni i zhvilluar në fshatin Zallë të Krujës, ku në banesën e shtetasit Ylli Zalla u gjet një arsenal armësh dhe lëndësh plasëse, që dyshohet se lidhet me atentatin e ndodhur disa ditë më parë pranë aeroportit të Rinasit.
Gjatë kontrollit në banesë, forcat e rendit sekuestruan:
- 3 kallëpe tritoli
- 12 granata dore sulmuese
- Sasi lëndësh plasëse të montuara me kapsolla, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë (mina të gatshme për shpërthim)
- 3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë
- 4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehra dhe pjesë armësh
- 6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm
- 2 kg e 25 gramë cannabis
Sipas policisë, pronari i banesës, 48-vjeçari Ylli Zalla, është shpallur në kërkim, ndërsa po hetohet për lidhjet e mundshme me atentatin mafioz të kryer te rrethrrotullimi i Rinasit.
Zalla nuk është emër i panjohur për drejtësinë. Ai ka precedentë penalë për trafik armësh dhe vendosje eksplozivi, ndërsa figuron i skeduar edhe për rekrutime të shqiptarëve drejt ISIS-it. Gjithashtu, ai ka qenë i përfshirë në një konflikt të mëparshëm, ku kishte kërcënuar me jetë ish-pronarin e fabrikës së çimentos.
Policia dyshon se nga kjo banesë është nxjerrë edhe automjeti tip Toyota, i përdorur nga autorët e atentatit në Rinas. Mjeti është parë në lëvizje në zonën e Niklës pak pas ngjarjes, çka forcon pistën se shtëpia e Zallës ka shërbyer si bazë logjistike për grupin e armatosur.
Hetimet po vijojnë për të zbardhur rolin e plotë të 48-vjeçarit dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në ngjarjen e rëndë.