Zbulohen detaje të reja për atentatin në Rinas: Gilmando Dani ishte në prag martese me një arkitekte. Shullazi e kishte paralajmëruar të bënte kujdes

Gazetarja e kronikës, Klodiana Lala, ka bërë publike detaje të reja në lidhje me vrasjen e Gilmando Danit, i njohur si krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, një prej emrave më të fuqishëm të botës së krimit në Tiranë.

E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, Lala zbuloi se pas daljes nga burgu në tetor të vitit 2024, Dani kishte ruajtur një profil të ulët dhe ishte në prag të martesës me një arkitekte. Megjithatë, sipas saj, ai ishte paralajmëruar nga Shullazi për të treguar kujdes për jetën, duke qenë se rrezikohej seriozisht.

“Gilmando Dani kishte përfituar ulje dënimi dhe u lirua me kusht. Ka qenë i dënuar 12 vite për gjobëvënie, në lidhje me çështjen e ish-hotel Vollgës, ku Shullazi me kërcënime kishte marrë 30% të pronës. Pati konflikt edhe për zgjedhjen e rektorit të Universitetit të Tiranës. Pas lirimit nga burgu i Rrogozhinës në tetor 2024, ai u tërhoq nga jeta publike dhe nuk ishte përfolur më, por kundërshtarët e shihnin si mëkëmbësin e Shullazit,” tha Lala.

Sipas saj, Dani jetonte mes Barcelonës dhe Tiranës dhe dukej sikur kishte bërë një hap pas nga aktivitetet e mëparshme. Megjithatë, përkundër profilit të ulët, strukturat e sigurisë dyshojnë se ai vijonte të mbetej njeriu më besnik i Shullazit.

Gazetarja shtoi se atentati në rrethrrotullimin e Rinasit, vetëm pak metra nga terminali VIP dhe hyrja kryesore e aeroportit, përbën një nga ngjarjet më të rënda të viteve të fundit. “Për nga mënyra si është organizuar, duket një vrasje mafioze e mirëplanifikuar, ku janë përfshirë disa grupe kriminale. Janë fikur dritat gjatë gjithë ditës, nuk kanë funksionuar kamerat e sigurisë, dhe autorët kanë pasur një rrugë të garantuar për t’u larguar. Ka pasur shkëmbime informacioni nga Barcelona, si dhe verifikime në Vlorë e Kamzë,” theksoi ajo.

Gilmando Dani, që në 15 vitet e fundit i kishte mbijetuar dy atentate mafioze, humbi jetën në sulmin e organizuar dy ditë më parë në Rinas, ndërsa miku i tij, Muçi Shaljani, mbeti rëndë i plagosur dhe po lufton për jetën në spital.