Vëllezërit biznesmenë shqiptarë në “listën e zezë” të SHBA-ve: Lidhje me kartelin meksikan Sinaloa

Departamenti i Thesarit të Shteteve të Bashkuara ka vendosur sanksione të ashpra ndaj familjes shqiptare Hysa, e vendosur në Meksikë, duke e akuzuar atë për përdorimin e bizneseve të tyre, përfshirë kazino dhe resorte luksoze, si mbulesë për pastrimin e parave të kartelit famëkeq Sinaloa.

Në njoftimin zyrtar, Thesari amerikan thekson se Grupi i Krimit të Organizuar Hysa u godit pas një hetimi të përbashkët mes SHBA-së dhe qeverisë meksikane.

“Shtetet e Bashkuara dhe Meksika po punojnë ngushtë për të luftuar pastrimin e parave në industrinë e lojërave të fatit. Mesazhi ynë për ata që mbështesin kartelet është i qartë: do të mbahen përgjegjës,” deklaroi nënsekretari amerikan për Çështjet e Terrorizmit dhe Inteligjencës Financiare, John K. Hurley.

Në total, 27 individë dhe entitete janë përfshirë në listën e zezë të sanksioneve, mes tyre dhe anëtarët kryesorë të familjes Hysa: Luftar Hysa, Arben Hysa, Ramiz Hysa, Fatos Hysa dhe Fabjon Hysa.

Sipas dokumenteve, familja Hysa ka përdorur ndikimin e vet për të investuar dhe kontrolluar biznese të shumta në Meksikë, përfshirë lokale bastesh dhe restorante, që shërbenin për pastrimin e të ardhurave nga trafiku i narkotikëve, nën mbikëqyrjen e kartelit Sinaloa.

Luftar Hysa, që lëviz mes Meksikës dhe Kanadasë, shihet si figura kryesore e familjes, ndërsa Arbeni, Fatosi dhe Fabjoni akuzohen se kanë bashkëpunuar me një shtetas amerikan për të transportuar sasi të mëdha parash të gatshme nga Meksika në SHBA përmes kompanive që më pas i pastronin ato.

Ramiz Hysa, nga ana tjetër, dyshohet se ka përdorur rrjetin e lokaleve të lojërave të fatit dhe restoranteve luksoze për të fshehur gjurmët e parave të drogës.

Një nga kompanitë qendrore në këtë rrjet është Entretenimiento Palmero S.A. de C.V., në pronësi të Arben Hysës. Sipas Thesarit, kompania drejtohet në praktikë nga shtetasi meksikan Gilberto Lopez Lopez, ndërsa Eselda Baku (ish Hysa), vajza e Ramizit, mban postin e anëtares së bordit të drejtorëve.

Me këto sanksione, çdo aset i familjes Hysa në SHBA ose që kalon përmes sistemit financiar amerikan është bllokuar. Asnjë person apo kompani amerikane nuk mund të kryejë transaksione me ta pa licencë të posaçme nga OFAC.

Institucionet financiare ndërkombëtare janë paralajmëruar të mos bashkëpunojnë me subjektet që zotërohen mbi 50% nga anëtarët e familjes Hysa.

Familja, nga ana e saj, ka mohuar publikisht çdo lidhje me krimin e organizuar, por autoritetet amerikane thonë se hetimet përfshijnë edhe lidhje të mundshme të tyre me rrjete të tjera të pastrimit të parave në Europë dhe Amerikën e Veriut.