Në Romë u firmosën sot 16 marrëveshje dhe memorandume mirëkuptimi mes qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, që synojnë forcimin e bashkëpunimit në fusha kyçe si energjia, mjedisi, siguria, arsimi dhe inovacioni.
Ministrat respektivë të të dy kabineteve shkëmbyen dokumentet në një ceremoni zyrtare, ku u nënvizua se marrëdhëniet mes dy vendeve po hyjnë në një fazë të re strategjike.
Ndër dokumentet e nënshkruara përfshihet Memorandumi i Mirëkuptimit për Sigurinë Kibernetike, Marrëveshja Ndërqeveritare për krijimin e një sistemi të mbrojtjes civile shqiptare, si dhe Marrëveshja Ekzekutive për forcimin e aftësive të mbrojtjes civile në Shqipëri.
U firmos gjithashtu një projekt për mbështetjen e neonatologjisë, në mbrojtje të fëmijëve dhe nënave, si dhe një memorandum operativ kundër trafikut të drogës.
Në fushën e kulturës dhe mbrojtjes, u nënshkrua memorandumi mes Fondacionit MAXXI dhe Galerisë Kombëtare të Arteve, protokolli për bashkëpunimin në mbrojtjen civile, si edhe marrëveshja teknike për dorëzimin e dy motovedetave të Guardia Costiera italiane për Forcën Detare Shqiptare.
Në aspektin ekonomik e infrastrukturor, u nënshkrua marrëveshja financiare mes Cassa Depositi e Prestiti SpA dhe Këshillit të Ministrave për përmirësimin e rrjetit të transmetimit të energjisë elektrike në Shqipërinë veriore, si dhe memorandumet me Simest SpA dhe AIDA, për nxitjen e investimeve dhe zhvillimit të përbashkët ekonomik.
Një tjetër nismë e rëndësishme është memorandumi mes Fincantieri dhe KAYO, që parashikon krijimin e një joint venture për zhvillimin e kantierëve të Pasha Limanit, si dhe memorandumi me kompaninë Leonardo SpA, që do të shërbejë si bazë për bashkëpunime të avancuara në fushën e teknologjisë dhe mbrojtjes.
Këto marrëveshje konsiderohen si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të partneritetit strategjik mes Shqipërisë dhe Italisë, me ndikim të drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik, sigurinë kombëtare dhe bashkëpunimin kulturor mes dy vendeve.