SPAK ka marrë të pandehur ish-drejtorin e Përgjithshëm të Burgjeve, Agim Ismaili, për përfshirje në një nga skandalet më të rënda të sigurisë institucionale: hakerimin e sistemit kompjuterik të Prokurorisë së Posaçme.
Sipas hetimeve, Ismaili akuzohet për veprat penale “Përgjimi i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Ngjarja daton në prill të vitit 2025, kur oficerët e BKH-së identifikuan një ndërhyrje të paautorizuar në rrjetin e tyre. Hetimet çuan në arrestimin e Arnold Rrokajt, i cili kishte pasur akses në kompjuterët e disa prokurorëve të SPAK-ut, mes tyre Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini.
Materialet e siguruara në mënyrë të paligjshme më pas u shpërndanë te ish-zyrtari i Burgut të Vlorës, Zambak Gjonaj, dhe përfunduan në duart e Agim Ismailit, si dhe të Dritan Palnikajt, aktualisht sekretar në Ministrinë e Arsimit.
Burime nga hetimi bëjnë me dije se Ismaili dhe Palnikaj kanë lidhje familjare, përkatësisht daje e nip, ndërsa një pjesë e dokumenteve të komprometuara përmbanin të dhëna mbi dosjen e inceneratorëve dhe çështje të tjera që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë dhe grupe kriminale.