Gazetari i njohur i kronikës, Artan Hoxha, ka hedhur dritë mbi atentatin mafioz të ndodhur dy ditë më parë në rrethrrotullimin e Rinasit, ku mbeti i vrarë Gilmando Dani dhe u plagos rëndë Muçi Shaljani. Në një intervistë për Euronews Albania, Hoxha deklaroi se autorët e këtij atentati janë të njëjtët që fshihen pas ekzekutimit të Brilant Martinajt në Fushë-Krujë, ngjarje e bujshme që tronditi vendin në verën e vitit 2022.
Sipas gazetarit, bëhet fjalë për një “skuadër ekzekutimi” të strukturuar dhe tepër të rrezikshme, e cila vepron rrallë, por gjithmonë me sukses fatal.
“Kjo është një ngjarje me shumë mesazhe. Nuk është zgjedhur rastësisht ai vend. Prej kohësh kam folur për një skuadër pushkatimi që del rrallë në aktivitet, por sa herë del, rendimenti i saj është 100 për qind. Është një grup i frikshëm, që ka realizuar atentate shumë të organizuara dhe që, fatkeqësisht, nuk është kapur asnjëherë nga agjencitë tona ligjzbatuese,” – tha Hoxha.
Gazetari shtoi se ai i njeh personat në fjalë dhe ka publikuar më herët edhe fotot dhe emrat e tyre. “Patjetër që është e njëjta skuadër. Kanë vepruar në Durrës, Fushë-Krujë… mbani mend vrasjen e Brilant Martinajt. Ata përdorin veshje policie dhe veprojnë me profesionalizëm ushtarak, por nuk janë ushtarakë të vërtetë,” – theksoi ai.
Ngjarja e 17 korrikut 2022 në Fushë-Krujë, ku u ekzekutuan Brilant Martinaj dhe dy miqtë e tij, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata, shënoi një nga episodet më të përgjakshme të viteve të fundit. Qindra plumba u shkrehën mbi mjetin e tyre, i cili më pas shpërtheu në flakë, duke i shkrumbuar trupat e viktimave.
Artan Hoxha paralajmëroi se atentati në Rinas mund të jetë një vazhdim i përplasjeve të vjetra mes grupeve kriminale që kanë vepruar në Durrës, Fushë-Krujë dhe Tiranë, duke sinjalizuar se “epoka e vrasjeve të porositura nuk ka përfunduar ende.”