Rama: “Pensionistët, prioriteti kryesor i buxhetit 2026! Bonusi shpërndahet para festave”

Kryeministri Edi Rama zhvilloi sot një dëgjesë publike me banorët e Njësisë 5 në Tiranë, ku foli për projektbuxhetin e vitit 2026, duke theksuar se prioritet kryesor i qeverisë për katër vitet e ardhshme do të jenë pensionistët.

Në fjalën e tij, Rama deklaroi se rritja e pensioneve do të vazhdojë gjatë gjithë mandatit të katërt, ndërsa bonusi për pensionistët do të shpërndahet përpara festave të fundvitit.

“Pjesa e luanit në buxhetin e katër viteve të ardhshme është pjesa që më në fund i takon pensionistëve. Kam dëgjuar dhe një muhabet tjetër që nuk do japim bonusin e këtij viti… Pensionistët do të marrin bonusin që kanë marrë dhe që u është premtuar, edhe këtë vit, përpara Vitit të Ri,” – u shpreh Rama.

Sipas projektbuxhetit të vitit 2026, i publikuar më 4 nëntor, totali i shpenzimeve kap vlerën 8.8 miliardë lekë. Nga kjo shumë, 100 milionë euro janë parashikuar për rritjen e pensioneve sipas skemës së re, ndërsa 135 milionë euro do të dedikohen për rimbursimin e medikamenteve. Po ashtu, fondi për rindërtimin do të arrijë në 50 milionë euro.

Në të njëjtin dokument parashikohet që rritja e pagës minimale, së bashku me indeksimin, të ketë një kosto totale prej rreth 10 miliardë lekësh.

Sa i përket institucioneve të drejtësisë, projektbuxheti i 2026 parashikon rritje të ndjeshme për Këshillin e Lartë Gjyqësor, i cili do të marrë 68 milionë euro, me një shtesë prej 12 milionë eurosh krahasuar me vitin e kaluar.

Edhe SPAK do të ketë një buxhet më të lartë — 21 milionë euro, nga 18.8 milionë euro që kishte më parë, me qëllim forcimin e kapaciteteve dhe vijimin e hetimeve kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Në përfundim të fjalës së tij, Rama theksoi se qëllimi i qeverisë është “të garantojë dinjitet për pensionistët dhe të rrisë fuqinë blerëse të shtresave më të ndjeshme të shoqërisë”, duke shtuar se reformat sociale do të jenë boshti i projektbuxhetit të ardhshëm.