Policia greke vijon hetimet për zbardhjen e vrasjes makabre të 27-vjeçarit shqiptar, Sulo Halili, trupi i të cilit u gjet i karbonizuar dhe i lidhur në pjesën e pasme të një automjeti në zonën Skourta, Viotia. Ngjarja ka tronditur opinionin publik, ndërsa hetuesit grekë po përpiqen të rikonstruktojnë me kujdes çdo detaj të krimit brutal.
Burime nga policia greke bëjnë me dije se motivimi i ngjarjes mbetet ende i paqartë, por një nga pistat kryesore që po hetohet lidhet me rivalitetin romantik. Sipas informacioneve paraprake, Halili kishte një lidhje me një vajzë, ish-partneri i së cilës e kishte kërcënuar më parë, çka ka ngritur dyshime të forta se ngjarja mund të ketë ndodhur për motive xhelozie. Deri tani, nuk ka asnjë provë që viktima të ketë qenë e përfshirë në aktivitete kriminale apo të paligjshme.
Sipas raportimeve nga gazetari grek Kostas Nikolaidis, hetuesit po përqendrohen në gjurmimin e kontakteve të fundit të 27-vjeçarit dhe në kamerat e sigurisë pranë zonës ku u gjet automjeti i djegur. “Ky është një krim i planifikuar me kujdes dhe që synonte të fshihte çdo provë. Autorët kanë treguar qetësi dhe njohuri për mënyrën si funksionon policia,” tha ai për mediat lokale.
Ndërkohë, familjarët e viktimës pritet të paraqiten sot në selinë e Policisë së Athinës (GADA), të shoqëruar nga avokati i tyre, Alexandros Papaioannidis, për të dorëzuar prova dhe informacione që mund të ndihmojnë hetimin.
“Kërkojmë vetëm drejtësi për Sulo Halilin. Ai nuk kishte asnjë armiqësi me askënd,” ka deklaruar shkurt avokati për mediat greke.
Nga hetimet paraprake, rezulton se autorët fillimisht e qëlluan të riun, më pas e vendosën trupin e tij në sediljen e pasme të një makine të vjedhur, të cilës i vunë zjarrin për të zhdukur gjurmët. Automjeti rezulton se ishte vjedhur nga zona e Glyfadës dhe kishte targa të falsifikuara, që përputheshin me një makinë tjetër në Pieria.
Identifikimi i trupit u bë përmes analizës së ADN-së, ndërsa policia ka sekuestruar pamje nga kamerat e sigurisë në disa zona të Athinës dhe Viotias për të ndjekur lëvizjet e autorëve. Hetimet vijojnë intensivisht për të zbardhur rrethanat e plota të ngjarjes, si dhe për të identifikuar personat që mund të kenë bashkëpunuar në krim.