Doli nga Fiati për të parë monitorët, nisi telefonatat sapo Dani dhe Shaljani dolën nga terminali/ Kush është i riu që ndihmoi më atentatin e Rinasit

Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me atentatin e rëndë të ndodhur të martën në afërsi të aeroportit të Rinasit, ku u ekzekutua Gilmando Dani dhe mbeti i plagosur rëndë Muçi Shaljani, agjent i AMP-së. Burime hetimore bëjnë me dije se në fokus të hetimeve është një i ri, i cili dyshohet se ka luajtur rolin e “syve” për llogari të autorëve të krimit, duke monitoruar lëvizjet e viktimave brenda aeroportit.

Sipas pamjeve të sigurisë, i riu ka mbërritur në Rinas rreth orës 13:00 me automjetin tip “Fiat”, të cilin e ka parkuar pranë terminalit. Ai shihet më pas duke hyrë në ambientet e aeroportit dhe duke qëndruar për disa minuta përpara monitorëve të fluturimeve. Avioni me të cilin udhëtonin Dani dhe Shaljani, nga Barcelona drejt Tiranës, kishte rreth 15 minuta vonesë. Në këtë periudhë, i dyshuari është futur drejt tualeteve, për t’u rikthyer sërish në zonën e daljes së pasagjerëve.

Hetuesit vërejnë se sapo Dani dhe Shaljani kanë dalë nga terminali, duke mbajtur me vete secili nga një çantë, i riu ka nisur menjëherë të kryejë telefonata. Ai i ka ndjekur ata nga pas deri pranë parkimit, ku viktima dhe i plagosuri kishin lënë automjetin e tyre “Mercedes-Benz”. Në këtë moment, dyshohet se i riu ka sinjalizuar ekzekutorët për pozicionimin e Danit në makinë. Menjëherë më pas, ai largohet me shpejtësi në drejtim të kundërt, ndërsa mjeti i viktimave nis lëvizjen drejt rrethrrotullimit.

Në rrugë, një automjet ndalon përpara makinës së Danit dhe Shaljanit për disa minuta, duke krijuar dyshime se ky ka qenë momenti i konfirmimit final të objektivit. Me t’u afruar pranë rrethrrotullimit, një “Toyota” me targa greke u pozicionua paralelisht me mjetin e tyre. Tre persona të armatosur zbritën nga makina, ndërsa një tjetër mbeti në timon. Brenda pak sekondave, ndaj automjetit “Benz” u qëllua me breshëri nga tre armë automatike, ndërsa objektivi kryesor dyshohet se ka qenë Gilmando Dani.

Pamjet filmike tregojnë se për rreth pesë sekonda pas sulmit, askush nga autorët nuk lëviz. Më pas, një prej tyre, i maskuar dhe i armatosur me kallashnikov, i afrohet derës së pasagjerit dhe qëllon disa herë nga afër në drejtim të Danit, përpara se të largohet. Burime të policisë thonë se mbi mjetin e viktimave janë shkrepur rreth 100 plumba.

Pavarësisht se zona është një nga më të frekuentuarat dhe me qarkullim të lartë në vend, në momentin e ngjarjes nuk kishte pranë asnjë patrullë policie, çka u ka dhënë mundësi autorëve të largohen pa u shqetësuar. Automjeti i tyre u gjet më pas i djegur në fshatin Halilaj të Fushë-Krujës, një praktikë tashmë e njohur në atentatet mafioze për zhdukjen e provave.

Ndërsa hetimet vijojnë, grupi hetimor po punon për identifikimin e personit të dyshuar brenda aeroportit dhe për të zbuluar nëse ai ka qenë pjesë direkte e grupit ekzekutues, apo ka bashkëpunuar për t’u dhënë informacion autorëve.