“Më thanë se Nuredin Dumani ishte nisur për të më vrarë”/ Elton Kila dëshmon në procesin e “Plumbit të Artë”: Në masakrën e Bradasheshit kam qenë në burg

Në Gjykatën e Posaçme u zhvillua sot seanca gjyqësore në kuadër të dosjes së njohur si “Plumbi i Artë”, ku dëshminë e dha Elton Kila, i njohur me pseudonimin Oti Kila. Ai deklaroi se ndër vite ka qenë objekt i disa sulmeve ndaj biznesit të tij dhe se ka marrë informacione se ishte shënjestër e një atentati të planifikuar nga Nuredin Dumani.

Sipas dëshmisë së Kila-s, në vitin 2017 dhe 2018 biznesi i tij u dogj dy herë, ndërsa rastet mbetën të pazbardhura.

“Në vitin 2017 ra zjarr jashtë servisit ku ishin 30 automjete; u dogjën tre makina. Rasti nuk u zbardh kurrë. Në 2018 ndodhi po e njëjta gjë, por unë isha në burg atë kohë. Në ditën e tretë të ndalimit sërish u vu zjarr në biznesin tim dhe përsëri mbeti pa autor,” tha ai.

Kila theksoi gjithashtu se në momentin e plagosjes dhe arrestimit të Nuredin Dumanit ndodhej në Gjermani me familjen dhe nuk ishte fshehur, megjithëse familjarët e kishin këshilluar të qëndronte jashtë vendit.

Ai shtoi se pas ngjarjes ka dëgjuar se ishte objektiv i një atentati të mundshëm nga Dumani.

“Më vonë dëgjova se Dumani kishte qenë nisur për të më vrarë. Ma kanë thënë shumë njerëz, madje edhe një polic. Nuk e besova sepse nuk kam pasur kurrë konflikt apo lidhje me të,” u shpreh ai.

Sa i përket emrit të Elio Bitrit, Kila tha se e ka dëgjuar të përmendet lidhur me zjarrvëniet ndaj biznesit të tij, por nuk ka kërkuar të thellojë më tej dyshimet.

“E njihja, e kisha takuar, por u distancova. I kam lënë gjërat në dorë të Zotit,” deklaroi ai.

Dosja “Plumbi i Artë”

Të pandehurit në këtë dosje akuzohen për një seri vrasjesh, atentatesh të mbetura në tentativë dhe vjedhjesh me dhunë, të zbardhura pas bashkëpunimit me drejtësinë të Nuredin Dumanit. Dumani ndodhet në proces si i penduar, duke ndihmuar zbardhjen e të paktën 12 vrasjeve dhe dhjetëra ngjarjeve kriminale të ndodhura gjatë një dekade, përfshirë porosi për ekzekutime me pagesë deri në 200 mijë euro.

SPAK vijon procesin ndaj disa të pandehurve, ndërsa dëshmitë e Dumanit konsiderohen kyçe për rrjetin kriminal të hetuar.