Kush e spiunoi Gilmando Danin? Ja nga dyshohet se rrodhi informacioni. Skenari identik me vrasjet e “Astirit”

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga atentati mafioz i ndodhur pranë rrethrrotullimit të Rinasit, ku u vra me armë zjarri Gilmando Dani, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit, dhe u plagos rëndë miku i tij, Mustafa Sheqeri (Muçi), agjent i AMP-së. Ngjarja, sipas burimeve, është organizuar me saktësi dhe dyshohet se autorët kanë patur informacion të detajuar për lëvizjet e shënjestrave.

Sipas gazetarit Elton Qyno, të dhënat paraprake tregojnë se informacioni për udhëtimin e Danit dhe Sheqerit mund të ketë rrjedhur nga një agjenci udhëtimi, nga e cila ata kishin prerë biletat për Barcelonë. Pikërisht ditën e kthimit të tyre, autorët janë mobilizuar dhe kanë realizuar atentatin.

Dëshmitarë në vendngjarje pohuan se janë dëgjuar dy herë breshëri automatiku. Një automjet “Toyota” me targa greke është pozicionuar paralel me makinën tip Benz të viktimave, sapo ata kanë lënë rrethrrotullimin e aeroportit. Nga një distancë shumë e afërt, rreth gjysmë metri, është qëlluar me armë automatike.

Dani ka ndërruar jetë në vend, ndërsa Sheqeri po trajtohet në Spitalin e Traumës dhe ndodhet në gjendje të rëndë.

Burime policore thanë se të dy nuk ishin të armatosur dhe nuk patën mundësi t’i kundërpërgjigjeshin sulmit.

Hetuesit po verifikojnë ngjashmëritë mes këtij atentati dhe vrasjes së 13 nëntorit 2021 në “Astir”, ku mbetën të vrarë Erigers Mihasi dhe Armand Dumani. Në të dyja rastet u përdor automjet “Toyota”, qitësi ka qëlluar nga brenda makinës, autorët janë larguar drejt Fushë-Krujës dhe mjeti i atentatorëve është djegur pas ngjarjes.

Gazetari Elton Qyno tha se provat hetimore tregojnë se Dani dhe Sheqeri kanë udhëtuar më 7 nëntor drejt Barcelonës dhe janë kthyer tre ditë më vonë. Makina e tyre ishte lënë në parkimin e aeroportit dhe sapo ata u futën në automjet, autorët kanë goditur.

“Pamjet filmike të dy trupave në makinë tronditën vendin, ndërsa hetimet deri tani janë të vakëta për identifikimin e autorëve. Skema është thuajse identike me atentatin e vitit 2021 te ‘Astiri’,” – u shpreh Qyno.

Policia dhe SPAK po vijojnë hetimet, duke u fokusuar te burimi i mundshëm i rrjedhjes së informacionit dhe te mundësia që i njëjti grup kriminal të jetë i përfshirë në të dy atentatet.