Gjendet makina e autorëve të atentatit në Rinas/ Policia nuk i afrohet dot automjetit

Ky është vendi në fshatin Halil të Krujës, ku autorët e dyshuar të atentatit me një të vrarë dhe një të plagosur në Rinas kanë djegur automjetin e përdorur në krim.

Mjeti është shkrumbuar pranë një përroi, në një zonë të pyllëzuar dhe të izoluar, çka sugjeron një tentativë për të humbur gjurmët pas ekzekutimit të Gilmando Danit, krahu i djathtë i Emiljano Shullazit.

Forca të shumta të policisë së DVP Tiranë ndodhen në vendngjarje dhe kanë vendosur një perimetër sigurie për të penguar hyrjen në zonë.

Dyshohet se brenda makinës së djegur mund të ketë armë zjarri, ndaj efektivët nuk janë afruar ende për shkak të rrezikut që mund të ketë shpërthim të municionit nga flakët e mbetura.

Grupi hetimor po punon për mbledhjen e provave dhe identifikimin e autorëve, ndërsa është intensifikuar kontrolli në të gjithë zonën përreth.

Autoritetet po analizojnë kamerat e sigurisë në akset hyrëse dhe dalëse të zonës për të ndjekur gjurmët e tyre.