Ekzekutimi i Gilmando Danit: Vrasësi doli nga makina për t’u siguruar. Ja çfarë u gjet në automjet

Detaje të tjera kanë dalë në dritë lidhur me atentatin tronditës të ndodhur në rrethrrotullimin e Rinasit, ku u ekzekutua Gilmando Dani dhe mbeti i plagosur rëndë Muçi Sheqeri.

Gazetarja Xhensila Kodra bën të ditur se brenda automjetit të autorëve, i cili u gjet i djegur në fshatin Halil të Krujës, janë zbuluar katër armë zjarri: tre kallashnikovë dhe një pistoletë. Armët janë sekuestruar dhe do t’i nënshtrohen ekspertizës balistike për të përcaktuar nëse janë përdorur në atentat apo në ngjarje të tjera kriminale.

Sakaq, mësohet se autori i vrasjes, në momentin e ekzekutimit, ka dalë nga makina dhe afrohet duke qëlluar disa herë me pistoletë, duke u siguruar që shënjestra ka ndërruar jetë.

Automjeti i blinduar me të cilin udhëtonin Dani dhe Sheqeri është marrë nga ekspertët e kriminalistikës dhe po i nënshtrohet analizave të hollësishme teknike. Hetuesit po verifikojnë trajektoret e plumbave, gjurmët e gishtërinjve dhe çdo provë tjetër që mund të çojë drejt identifikimit të personave të përfshirë.

Aksi ku ndodhi atentati mbetet ende i bllokuar, pavarësisht se kanë kaluar më shumë se gjashtë orë nga ngjarja. Policia po punon në terren për të mbledhur çdo provë të mundshme, ndërsa kontrollet në zonë janë intensifikuar.

Hetimet vazhdojnë me ritëm intensiv, ndërsa dyshohet se atentati është kryer nga një grup profesionistësh që dispononin informacion të detajuar për lëvizjet e viktimës. Autoritetet po analizojnë gjithashtu pamjet e kamerave të sigurisë përgjatë segmentit Rinas–Tiranë dhe zonës së Krujës për të gjurmuar itinerarin e atentatorëve.