Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me Muçi Shaljani Sheqerin, i cili mbeti i plagosur rëndë në atentatin e rëndë mafioz ndaj Gilmando Danit këtë pasdite pranë aeroportit të Rinasit. Shaljani, i cili më herët ka mbajtur detyra në administratën shtetërore, prej tre muajsh shërbente si agjent në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore (AMP).
![]()
Atentati u regjistrua rreth orës 14:20, pak minuta pasi Gilmando Dani ishte kthyer nga Barcelona. Sipas të dhënave, në orën 13:55 Dani ishte pritur në aeroport nga Shaljani. Hetimet paraprake dyshojnë se autorët kanë pasur informacion të saktë për lëvizjet e tyre dhe i kanë ndjekur deri në zonën e rrethrrotullimit pranë aeroportit.
Në momentin që automjeti tip Mercedes-Benz S-Class, i drejtuar nga Shaljani, po largohej nga zona, është qëlluar në drejtim të tyre me breshëri arme automatike. Nga sulmi, Dani humbi jetën në vendngjarje, ndërsa Shaljani mbeti në gjendje kritike për jetën, pasi plumbat e kanë goditur edhe në kokë. Ai u transportua me urgjencë drejt spitalit.
Zona u blindua nga policia, e cila ngriti postblloqe në akset lidhëse të Tiranës dhe Fushë-Krujës. Ndërkohë, po kontrollohen pamjet e kamerave të sigurisë për identifikimin e autorëve.
Kush ishte Gilmando Dani?
Gilmando Dani u konsiderua një nga emrat më të njohur të botës së krimit në vend, i cilësuar si pjesë e grupit të drejtuar më herët nga Emiljano Shullazi. Sipas gazetares Klodiana Lala, “Dani është dënuar nga Gjykata për Krime të Rënda si pjesë e një grupi që vinte gjoba biznesmenëve në Tiranë, grup i cili drejtohej nga Emiljano Shullazi.”
Ai u dënua me 12 vite burg në nëntor të vitit 2018 për gjobëvënie dhe përfshirje në grup të strukturuar kriminal, ndërsa u lirua më 6 tetor 2024 pasi përfundoi dënimin. Në vijim të arrestimit të Shullazit, besohet se Dani mori drejtimin e grupit.
Ndaj tij janë kryer dy atentate të tjera në të kaluarën, një në vitin 2011 dhe një tjetër në 2015, ku ai mbeti i plagosur.
Hetimet për ngjarjen vazhdojnë, teksa policia po punon në identifikimin dhe kapjen e autorëve, për një sulm që mendohet të jetë i organizuar dhe i ekzekutuar me informacion të detajuar mbi lëvizjet e viktimës.