Të dhëna të reja janë bërë publike lidhur me rastin e rrëmbimit dhe dhunimit të një 27-vjeçari në Tiranë, ku policia vuri në pranga dy persona dhe shpalli në kërkim tre të tjerë, mes tyre dy vajza. Të arrestuarit janë identifikuar si Lusjan Kimza dhe Asmireld Nimani, ndërsa në kërkim janë shpallur Klajdi Limani, Monika Marku dhe Suate Cenoaliaj.
Nga hetimet paraprake rezulton se Suate Cenoaliaj ka qenë në një marrëdhënie sentimentale si me viktimën, ashtu edhe me një prej të arrestuarve, Lusjan Kimzën. Mësohet se 24-vjeçari, i irrituar pasi ka zbuluar se e dashura e tij vijonte të komunikonte me të riun, ka vendosur ta detyrojë atë t’u japë para. Në bashkëpunim me personat e tjerë, ai ka organizuar marrjen peng të 27-vjeçarit, duke e mbajtur të mbyllur për disa orë në një apartament dhe duke ushtruar dhunë fizike ndaj tij.
Nën presion dhe kërcënime të vazhdueshme, viktima u detyrua t’u dorëzojë autorëve shumën prej 5.000 eurosh. Pasi e lanë të lirë, grupi dyshohet se e ka kanosur sërish për të marrë edhe një shumë tjetër të konsiderueshme.
Gjatë operacionit policor, është ushtruar kontroll në banesën e Agustin Kimzës, 60 vjeç, babai i Lusjan Kimzës. Në apartament u gjet një armë zjarri pistoletë me municion luftarak, e cila u sekuestrua si provë materiale, si dhe 5.000 euro — shuma që dyshohet t’i jetë marrë viktimës gjatë pengmarrjes. Hetimet po vijojnë, ndërsa autoritetet janë vënë në ndjekje të personave ende të lirë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes dhe motivet e sakta të krimit.