Një skandal tronditës ka dalë në dritë në Greqi, ku një ish-model i kthyer në prift u kap duke fshehur kokainë dhe kanabis brenda kishës, ndërkohë që rezultoi se ishte pjesë e një bande kriminale.
46-vjeçari, i shkarkuar më parë nga Kisha e Greqisë, vazhdonte të paraqitej si prift dhe herë pas here si “Kryepeshkop i Kalendaristëve të Vjetër”, duke mashtruar besimtarët dhe përfituar financiarisht. Ai dyshohet se rrëfeu para policisë se ishte përdorues droge dhe se drogën e fshihte brenda kishës.
Sipas mediave greke, drejtuesja e bandës e rekrutoi atë dhe e udhëhoqi në trafikimin e drogës dhe transportin e paligjshëm të emigrantëve. Në një deklaratë për televizionin MEGA, një banor i zonës tregoi: “Që në fillim, na ra në sy për keq dhe se diçka nuk shkonte mirë me të. Si e morën një hapësirë dhe e shndërruan në kishë? Ata shisnin gjëra që zakonisht shesin manastiret. Pashë që prifti ishte më parë ka qenë model, pastaj u bë kuzhinier dhe kishte dhe një kanal në Youtube. Ata gatuanin këtu, priftërinjtë blinin patate nga tregu lokal, ai kishte disa njerëz që shpërndanin kartolina për festat dhe ndihmonin. Në komunikimin e parë që pata me të, ai më mallkoi. Sepse i thamë të ulte altoparlantët dhe ai u zemërua. Pasditeve ai thoshte: ‘Eja, më lejo të të heq magjitë dhe të shëroj pacientët me kancer’.”
Hetimet kanë zbuluar edhe biseda mes priftit dhe anëtarëve të tjerë të rrjetit, ku droga u kodua si “qiri” dhe “sprej” për kokainën, ndërsa kanabisi u referua me fjalët “kafe” dhe “makarona”. Sipas raportimeve, gjatë arrestimit, 46-vjeçari deklaroi se pranon të gjitha akuzat, por hetuesit presin që ai mund të ndryshojë qëndrim dhe të pretendojë se nuk kishte dijeni për aktivitetet kriminale.
Policia greke po vijon hetimet për identifikimin e anëtarëve të tjerë të rrjetit, si dhe çdo klient që mund të ketë blerë drogë nga banda.