Elvis Shkambi, i dënuar për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, ka dërguar një letër nga burgu ku shpreh pendesë për ngjarjen tragjike dhe dhimbjen e shkaktuar.
Në mesazhin e tij, Shkambi përcjell ngushëllime familjes së gjyqtarit Kalaja, të afërmve, miqve dhe kolegëve të tij, ndërsa e përshkruan veprimin e ditës së ngjarjes si një reagim të nxituar dhe të paarsyeshëm ndaj një vendimi gjyqësor që ai e konsideron të padrejtë.
“Ndodhia e asaj dite ishte një reagim i palogjikshëm ndaj një vendimi po aq të palogjikshëm. Do ta them derisa të kem frymë: vendimi ishte skandaloz”, shkruan ai mes të tjerash.
Në letër, e siguruar nga gazetarja e Top News, Alketa Shaba, Shkambi pretendon se vendimet gjyqësore të marrë më herët në lidhje me çështjen e xhaxhait të tij, Gjon Shkambi, sipas tij kanë qenë në kundërshtim me ligjin dhe normat kushtetuese.
Sipas Shkambit, qasja e gjykatave ishte e padrejtë dhe e ndikuar nga faktorë të tjerë, duke argumentuar se prej 13 vitesh xhaxhai i tij ishte përballur me një trajtim të padrejtë ligjor. Ai pretendon se vendimi i datës 6 tetor 2025 bie ndesh me Kodin Civil, Kodin e Procedurës Civile, vendime të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.
Megjithatë, ai thekson se, pavarësisht bindjeve të tij, ndjen thellësisht dhimbjen që ka shkaktuar dhe kërkon falje për pasojat e rënda të veprimit të tij.
“Nuk ka justifikim për dhimbjen që i shkaktova një familjeje dhe shoqërisë. Pendesa ime është e vërtetë.”-shkruan ai.