Hetimet për 21-Janarin/ SPAK i dërgon fletë-thirrje Sali Berishës

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka thirrur ish-kryeministrin Sali Berisha për t’u paraqitur në kuadër të hetimeve mbi ngjarjet e 21 janarit 2011. Burime konfirmojnë se Berisha është thirrur të premten, në orën 10:00, pranë ambienteve të SPAK-ut.

Fletëthirrja i është dërguar në tre adresa: Parlament, selinë e Partisë Demokratike dhe banesën e ish-kryeministrit.

Ky zhvillim vjen vetëm pak ditë pasi ish-kryetari i PD-së, Lulzim Basha, u paraqit në SPAK mbrëmjen e 30 tetorit. Pas daljes, ai deklaroi shkurtimisht se ishte thirrur si person në dijeni për ngjarjen tragjike:

“U thirra si person që ka dijeni për çështjen dhe dhashë deklarimet e mia për ngjarjen e 21 Janarit, ku humbën jetën katër qytetarë,” u shpreh Basha.

Në momentin e ngjarjes, Basha mbante postin e Ministrit të Brendshëm, ndërsa Berisha drejtonte qeverinë.

SPAK ka regjistruar procedim penal lidhur me vrasjen e protestuesve Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda dhe Aleks Nika. Hetimet po kryhen për veprat penale “vrasje në rrethana të tjera cilësuese në bashkëpunim”, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”, të gjitha në bashkëpunim.

Në njoftimin e mëparshëm, SPAK ka theksuar misionin për zbardhjen e plotë të përgjegjësive të kohës:

“Hetimi synon të qartësojë rolin e drejtpërdrejtë të ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-ministrit të Brendshëm Lulzim Basha, Ndrea Prendit dhe të tjerëve lidhur me ngjarjen e 21 Janarit.”

Vendimi i Gjykatës së Lartë ka detyruar SPAK-un të hetojë drejtuesit e lartë shtetërorë të asaj kohe, pasi deri më sot nuk është përcaktuar roli i tyre në vrasjen e katër protestuesve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.