“Doja të ikja, t’i bashkohesha…” Agron Llakaj rrëren mes dhembjes humbjen e bashkëshortes: “Për dy javë nuk dija si rrotullohesha!”

Agron Llakaj ka ndarë një rrëfim të thellë dhe prekës për humbjen e bashkëshortes së tij, Kostandina, e cila ndërroi jetë pas një beteje të gjatë me sëmundjen.

Në një intervistë për podcastin e Grida Dumes, aktori foli me emocione të forta për një nga periudhat më të vështira të jetës së tij – ndarjen nga gruaja që ai e quajti “zemra e familjes”. Ai rrëfeu: “Nuk mora amanet nga Kostandina, nuk pranova. Kam mbajtur më shumë sesa duhet. Nuk mund të pranoja idenë e ndarjes, të fundit, të ikjes së saj.”

Llakaj kujtoi me dhimbje udhëtimin e fundit në Turqi, ku shpresat për shërim u shuan plotësisht: “Kur ikëm në Turqi herën e fundit, thikën e mora unë. Doktori më mori mënjanë e më tha se mbaroi. I thashë, ti the 5-6 vjet. Çdo gjë do ta shisnim për jetën e Kostandinës.” Për dy javë ai mbajti të vërtetën për vete, duke gënjyer për të mbrojtur fëmijët dhe bashkëshorten nga dhimbja: “Për dy javë nuk e di si rrotullohesha. Ua thashë fëmijëve dhe vazhduam të silleshim sikur s’kish ndodhur gjë. Unë dilja në emision, qeshja në ekran, që ajo të thoshte: ‘Ai qesh, unë jam mirë.’”

Një nga momentet më të ndjera ishte ai i lamtumirës së fundit me bashkëshorten: “I thashë vajzës: ‘Zemra e babit, mami e meriton të ikë si një nuse e bukur.’ I kemi bërë grim profesional. Kemi qëndruar të dy aty, duke qarë, duke e grimuar.”

Pas ndarjes, aktori kaloi periudha jashtëzakonisht të vështira dhe nuk e fshehu dëshpërimin e thellë.

“Për shumë ditë dhe netë nuk kam dashur të jetoj. Doja të ikja, t’i bashkohesha. Fëmijët më janë përgëruar: ‘Babi, jemi ne.’”-rrëfeu Llakaj.