Arben Ahmetaj nga arratia çon në Strasburg shtetin shqiptar: “Më kanë kontrolluar shtëpinë pa të drejtë!”

Ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Financave, Arben Ahmetaj, aktualisht në arrati dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar, ka depozituar një padi kundër qeverisë shqiptare në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (GJEDNJ). Së bashku me partneren e tij, Erjola Hoxha, ai kundërshton ligjshmërinë e kontrolleve të kryera në banesën e tyre më 9 mars 2023 nga strukturat e posaçme antikorrupsion.

Në kërkesën paraqitur në Strasburg, Ahmetaj argumenton se kontrolli i banesës është zhvilluar në kundërshtim me Kushtetutën, duke qenë se në atë kohë ai ishte ende deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Ai pretendon se autoritetet kanë vepruar pa miratimin e detyrueshëm të Parlamentit, duke cenuar imunitetin e tij kushtetues.

Sipas padisë, është cenuar edhe e drejta për respektimin e jetës private dhe familjare, e garantuar nga neni 8 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe mungesa e mjeteve efektive për të kundërshtuar veprimin — në kundërshtim me nenin 13 të Konventës.

“Kontrolli ishte i paligjshëm, pasi kërkuesi i parë ishte deputet dhe banesa nuk mund të kontrollohej pa autorizimin e Parlamentit,” thuhet në dokumentin e paraqitur në Strasburg.

Në ankesë argumentohen shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, që garanton të drejtën për respektimin e jetës private dhe banesës, si dhe të nenit 13, për mungesë të një mekanizmi efektiv për të kundërshtuar kontrollin. Ahmetaj dhe partnerja e tij ngrenë pretendimin se nuk patën mundësi reale për të sfiduar këtë vendim dhe se imuniteti parlamentar u injorua. Ata kanë kundërshtuar kontrollin edhe në sistemin gjyqësor shqiptar, përfshirë Gjykatën Kushtetuese, e cila e rrëzoi kërkesën më 12 dhjetor 2023, duke e lënë në fuqi vendimin e mëparshëm të SPAK.

Nga ana tjetër, Gjykata e Strasburgut ka kërkuar nga qeveria shqiptare të paraqesë argumentet dhe jurisprudencën e saj mbi raste të ngjashme, për të vlerësuar nëse masat e ndërmarra më 9 mars 2023 ishin në përputhje me Kushtetutën dhe Konventën. Në fokus do të jetë çështja nëse procedurat ligjore të brendshme ofruan mjete të mjaftueshme për të kundërshtuar vendimin dhe nëse statusi i Ahmetajt si deputet është respektuar.

Ahmetaj ndodhet në kërkim ndërkombëtar që prej korrikut 2023, ndërsa akuzohet për “Fshehje të pasurisë”, “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”. Ai dyshohet për lidhje me sipërmarrësit e inceneratorëve, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, dhe për favore në dhënien e koncesioneve. Përveç kësaj, autoritetet kanë sekuestruar një sërë pasurish që dyshohet të jenë përfituar në mënyrë të paligjshme. Aktualisht, ai ka aplikuar për azil në Zvicër, ku ndodhet së bashku me partneren dhe vajzën e tyre të mitur.

Rasti përbën një test të rëndësishëm për raportet mes imunitetit parlamentar, pavarësisë së SPAK dhe standardeve të të drejtave të njeriut, teksa Strasburgu pritet të vlerësojë nëse autoritetet shqiptare kanë respektuar procedurat kushtetuese dhe detyrimet ndërkombëtare.