Shkodra, epiqendra e kultivimit të kanabisit: 87% e totalit në rang kombëtar/ Korça vetëm 4 bimë

Shkodra vijon të mbetet zona me nivelin më të lartë të kultivimit të kanabisit në vend, duke llogaritur mbi 87% të totalit të sasisë së zbuluar gjatë vitit 2025. Të dhënat zyrtare të siguruara nga Report TV tregojnë se nga fillimi i vitit deri në ditët e para të nëntorit, Policia e Shtetit, me asistencën e Guardia di Finanza, ka zbuluar dhe asgjësuar 213,856 bimë dhe fidanë kanabisi në mbarë vendin.

Në krahasim me vitin 2024, shifrat shënojnë një ulje prej 137,705 bimësh, duke dëshmuar një tendencë rënëse të fenomenit, megjithëse prezenca e tij mbetet e konsiderueshme.

Qarku i Shkodrës ka rezultuar sërish problematika kryesore, me 186,460 bimë të asgjësuara. Në vend të dytë renditet Fieri me 9,305 bimë, duke u pasuar nga qarqet e Lezhës, Tiranës, Durrësit, Dibrës dhe Vlorës. Ndërkohë, qarku i Korçës regjistroi numrin më të ulët të kultivimit — vetëm 4 bimë kanabis të zbuluara gjatë vitit.

Një nga operacionet më të fundit u zhvillua më 2 nëntor në Malësinë e Madhe, ku policia zbuloi një “shtëpi bari” moderne me ndriçim artificial, ku u gjetën rreth 1,110 bimë në proces rritjeje.

Gjatë vitit janë identifikuar të paktën 182 persona të përfshirë direkt në veprimtarinë kriminale, prej të cilëve 141 kanë përfunduar në pranga. Megjithëse numri i personave të implikuar është më i ulët se një vit më parë, arrestimet janë më të shumta.

Në operacionin e fundit në Shkodër, përveç dy personave të dyshuar si kultivues, u arrestuan edhe katër punonjës të OSHEE-së për shpërdorim detyre. Në total, për çështje të moskallëzimit të krimit apo shpërdorimit të detyrës, janë hetuar 160 zyrtarë lokalë, përfshirë kryetarë njësish, kryetarë fshatrash, punonjës të OSHEE-së dhe inspektorë të mjedisit dhe pyjeve. Vetëm dy prej tyre kanë përfunduar në arrest, ndërsa një vit më parë ishin hetuar 103 zyrtarë.