Kuvendi miraton projektligjin për barazinë gjinore! Çfarë do të thotë ‘përkatësi e shumëfishtë’

Kuvendi i Shqipërisë miratoi mbrëmjen e sotme, pas një seance maratonë, projektligjin për barazinë gjinore të propozuar nga mazhoranca socialiste. Drafti mori 77 vota pro dhe 36 kundër, me opozitën që u pozicionua fuqishëm kundër nismës.

Opozita argumentoi se projektligji cenon modelin tradicional të familjes shqiptare dhe se, sipas saj, hap rrugën për njohjen e disa gjinive të ndryshme në vend. Megjithatë, teksti i miratuar përcakton qartë se gjinia në Republikën e Shqipërisë kufizohet në dy kategori: burrë dhe grua.

Një nga pikat që ngjalli debat ishte termi “përkatësi e shumëfishtë”, të cilin opozita e interpretoi si futje të identiteteve gjinore të panjohura në legjislacion. Mazhoranca sqaroi se koncepti nuk lidhet me gjini, por me kombinime të kategorive shoqërore që mund të përballen me diskriminim, si p.sh.: burrë i varfër ose vajzë rome. Sipas saj, formula është marrë nga ligji kundër diskriminimit i vitit 2010, i miratuar gjatë qeverisjes së Sali Berishës.

Pavarësisht tensioneve politike, projektligji kaloi pa ndryshime thelbësore dhe pritet të hyjë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare.