Një ngjarje e rëndë është zbuluar në zonën Skourta të Viotias, pranë Athinës, ku policia greke ka gjetur trupin e një mashkulli të djegur brenda një automjeti. Viktima është gjetur i prangosur në sediljen e pasme, duke ngritur dyshime të forta për një ekzekutim të qëllimshëm dhe me rrethana tepër të dhunshme.
Mjeti rezulton i vjedhur në Athinë që prej muajit maj dhe mbante targa të falsifikuara. Automjeti u gjet nga një gjahtar, i cili njoftoi menjëherë autoritetet. Hetuesit dyshojnë se ngjarja mund të ketë ndodhur të paktën 48 orë më parë.
Sipas burimeve paraprake të gazetës Kathimerini, po hetohet pista që viktima të jetë një shtetas shqiptar, i zhdukur rreth 24 orë para zbulimit të trupit. I ndjeri raportohet të mos ketë pasur precedentë penalë.
Ai ishte nisur disa ditë më parë drejt zonës së Vilias, ku nuk mbërriti kurrë, ndërsa familjarët e kishin raportuar zhdukjen në polici.
Autoritetet greke po vijojnë hetimet për të identifikuar plotësisht viktimën dhe për të zbuluar motivin e mundshëm të krimit, ndërsa pista kryesore mbetet ajo e një ekzekutimi të organizuar.