Fundjavë me mot ekstrem: Reshje të dendura shiu e dëbore, rrezik përmbytjesh në disa qarqe

Fundjava pritet të shënojë një përkeqësim të ndjeshëm të motit, me reshje të fuqishme shiu dhe borë në disa zona të vendit. Sipas parashikimeve meteorologjike, bora do të prekë kryesisht zonat verilindore, në lartësi mbi 1,000 metra mbi nivelin e detit, ndërsa pjesa tjetër e territorit do të përfshihet nga reshje të konsiderueshme shiu.

Shtrëngata dhe rrebeshe intensive priten në qarqet Shkodër, Lezhë, Durrës, Vlorë dhe Gjirokastër. Autoritetet paralajmërojnë rrezik përmbytjesh, veçanërisht në jug të vendit, ku pritet të shfaqen problematika nga prurjet e larta të ujit.

Meteorologët theksojnë se kulmi i reshjeve do të jetë gjatë ditës së sotme dhe nesër, ndërsa të dielën pritet një përmirësim gradual, me reshje më të dobëta.

Ndërkohë, temperaturat do të fillojnë të bien që prej së shtunës, duke shënuar hyrjen e plotë të kushteve tipike të dimrit. Era do të fryjë nga mesatare në të fortë përgjatë bregdetit, duke sjellë dallgëzim të shtuar në det dhe rrezik për kushte të vështira detare.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve dhe banorëve në zonat me rrezik përmbytjesh të tregojnë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet zyrtare për siguri.