Federata e Volejbollit sqaron pezullimin e Nayara Ferreira: “Nuk kemi kërkuar test gjinor, vetëm analiza mjekësore”

Federata Shqiptare e Volejbollit ka reaguar për herë të parë pas debatit të krijuar mbi pezullimin e volejbollistes braziliane Nayara Ferreira, pas dyshimeve të ngritura nga disa klube të kampionatit për përshtatshmërinë e saj për të luajtur në kategorinë e femrave.

Në një intervistë për “Sport News” në News 24 me gazetaren Trevisa Tufa, sekretari i përgjithshëm i Federatës, Ervis Dosti, sqaroi se nuk është kërkuar test gjinor, por vetëm analiza mjekësore të zakonshme, sipas procedurave të njohura nga mjekësia sportive dhe rregulloret e Federatës Botërore të Volejbollit (FIVB).

“Nuk kemi vënë në dyshim gjininë e sportistes. Nayara figuron femër në dokumentacionin zyrtar. Grupi i punës është ngritur vetëm për ta shoqëruar në analizat mjekësore përkatëse,” – theksoi Dosti.

Ai sqaroi se pezullimi është i përkohshëm, derisa të kryhen ekzaminimet që lidhen me nivelin e testosteronit, një procedurë standarde në rastet kur ngrihen dyshime mbi barazinë sportive. Sipas rregullores ndërkombëtare, nëse niveli i testosteronit rezulton mbi normën e lejuar (5 nmol/L), sportistja mund t’i nënshtrohet trajtimeve për ta ulur dhe më pas të rikthehet në fushë.

Dosti kujtoi se raste të ngjashme janë regjistruar edhe në arenën ndërkombëtare, përfshirë një episod në Botërorin U-19, ku dy volejbolliste të Vietnamit u pezulluan për arsye të ngjashme.

Federata, sipas tij, ka komunikuar me FIVB-në dhe mbetet në pritje të përgjigjeve laboratorike. Nëse rezultatet janë në rregull, Nayara Ferreira mund të rikthehet menjëherë në fushë.

“Qëllimi ynë është transparenca dhe respektimi i rregullave, jo diskriminimi i asnjë sportisti,” – përfundoi Dosti.