Kryeministri Edi Rama prezantoi sot paketën e re fiskale, e cilësuar si “paqe fiskale”, e cila synon mbylljen e çështjeve të vjetra tatimore dhe krijimin e një raporti të ri bashkëpunimi mes administratës dhe sipërmarrjes. Sipas kreut të qeverisë, kjo nismë përmbush një prej premtimeve të bëra gjatë fushatës dhe pritet të lehtësojë ndjeshëm barrën e detyrimeve të prapambetura për bizneset.
Paketa parashikon fshirjen e plotë të detyrimeve tatimore të papaguara që i përkasin periudhave më të hershme se dhjetë vite. Për detyrimet e krijuara gjatë pesë deri në dhjetë viteve të fundit, do të fshihet gjysma e shumës nëse pjesa tjetër paguhet menjëherë, duke përfshirë edhe anulimin e gjobave dhe interesave. Ndërsa për pagesat me këste brenda një viti, falja e detyrimit parashikohet të jetë 25 për qind, sërish me fshirje të gjobave dhe kamatëvonesave. Për detyrimet e periudhës një deri në pesë vite, do të mund të fshihen gjobat dhe penalitetet, me kusht që të shlyhet detyrimi kryesor.
Një tjetër element i rëndësishëm i paketës është mundësia që bizneset të rishikojnë pasqyrat financiare dhe të korrigjojnë deklarimet e mëparshme. Për diferencat që rezultojnë nga vetëkorrigjimi, do të aplikohet një tatim i reduktuar prej pesë për qind mbi fitimin.
Rama theksoi se reforma synon të vendosë një mjedis më të drejtë dhe më besueshëm për sipërmarrjen, duke shtuar se qeveria është e vendosur të mbajë zotimet dhe të forcojë bashkëpunimin me biznesin në fazën e re të qeverisjes. Paketa fiskale është përfshirë në projektbuxhetin e vitit të ardhshëm dhe pritet të hyjë në fuqi pas miratimit përfundimtar në Kuvend.