Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, është paraqitur sot në Gjykatën Kushtetuese ku kërkon shfuqizimin e vendimit të qeverisë për shkarkimin e tij nga detyra. Veliaj e cilësoi largimin e tij si “goditjen më të rëndë” të karrierës publike, duke theksuar se vendimi u mor pa u dëgjuar dhe pa një vendim të formës së prerë.
Në fjalën e tij, Veliaj argumentoi se zyrtarë të qeverisë vepruan me qëllimin “për ta parë me pranga në duar”, duke shtuar se shkarkimi u justifikua me “mosprezencën në punë”, ndërkohë që ai ishte nën masë ndalimi.
“Nuk kishte fyerje më të rëndë. Erdhi nga ata që më kanë njohur dhe nuk denjuan të më dëgjonin. Zoti i faltë,” deklaroi Veliaj, duke e cilësuar vendimin si dyfish të padrejtë: ndalim i paprovuar dhe shkarkim politik.
Sipas tij, vendimi krijon një precedent të rrezikshëm për demokracinë dhe të drejtën e qytetarëve për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre.
“Ky mandat nuk është i imi, por kontratë e qytetarëve të Tiranës. Shkarkimi i një të zgjedhuri pa vendim fajësie është një rrezik për sistemin,” tha ai, duke theksuar se “dy padrejtësi nuk prodhojnë drejtësi.”
Veliaj paralajmëroi se nëse pranohet një praktikë e tillë, “mandatet e votuara mund të hiqen me vendime politike momentale”, duke e interpretuar rastin e tij si test për shtetin e së drejtës.
Ai kërkoi nga Kushtetuesja që “të mbrojë sovranin”, duke nënkuptuar votën popullore, dhe jo të lejojë rrëzimin e një mandati pa vendim gjyqësor të formës së prerë.
Seanca vijon, ndërsa pritet vendimi i Gjykatës në ditët në vijim.