Detaje të reja kanë dalë në dritë lidhur me arsenalin e armëve të zbuluara një ditë më parë në një furgon të kamufluar si mjet i “Mirëmbajtjes Rrugore”, në zonën e “Myslym Shyrit” në Tiranë. Policia arrestoi në flagrancë 34-vjeçarin Eugert Sino, pas kontrollit të automjetit ku u gjetën armë dhe municione të shumta.
Sipas burimeve hetimore, furgoni kishte qëndruar i parkuar për më shumë se një muaj në të njëjtin vend, çka ngriti dyshime tek Policia dhe çoi në ndërhyrjen e uniformave blu.
Hetimet paraprake tregojnë se Eugert Sino dyshohet të ketë lidhje me Aurel Hoxhën, një emër i njohur i botës së krimit, aktualisht në kërkim nga SPAK për vrasje dhe pastrim parash nga trafiku i drogës. Sino mendohet të jetë pjesë e grupit kriminal të Hoxhës.
Dokumentet hetimore tregojnë se Sino ishte i punësuar si banakier nga Hoxha, në lokalin “Monopol” në rrugën “Myslym Shyri”, duke forcuar pistën hetimore për përfshirjen e tij në veprimtarinë kriminale të grupit.
Aurel Hoxha, i cili dyshohet si porositësi i rrëmbimit dhe vrasjes së Klevis Lleshit, ka qenë subjekt i një goditjeje të rëndësishme nga SPAK, të cilit i janë sekuetruar rreth 5 milionë euro pasuri, përfshirë:
- Lokalin “Monopol” në Tiranë
- 13 apartamente dhe njësi në zonën e “Myslym Shyrit”
- 32 automjete, përfshirë një Lamborghini Urus dhe Rolls-Royce Cullinan
- 52 llogari bankare
Autoritetet po vazhdojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në rrjet dhe të burimit të armëve të sekuestruara.