Fatmir Mediu përplaset me familjen Durda në gjykatë: “Kemi 15 vite që ju dëgjojmë!”/ Babai i Edisonit: “Duhet ta kishim djalin 25 vjeç. Ka ditëlindjen sot”

Seanca e radhës gjyqësore për çështjen e Gërdecit është shoqëruar me tensione të forta mes ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dhe familjes Durda, që humbi djalin 7-vjeçar në shpërthimin tragjik të vitit 2008, ku mbetën të vrarë 26 persona, mes tyre edhe fëmijë.

Shkak u bë kërkesa e Mediut për të gjykuar pa praninë e familjarëve të viktimave, një e drejtë e garantuar për ta edhe nga Gjykata e Strasburgut në nëntor 2023. Ish-ministri kërkoi revokimin e vendimit të gjyqtares Irena Gjoka, e cila kishte pranuar familjen Durda si palë në proces, duke hedhur ndër të tjera akuza ndaj avokatit të tyre, Dorian Matlija, se financohet nga George Soros.

Pretendimet e Mediut sollën reagimin e menjëhershëm të Geraldo Durdës, i cili iu drejtua ish-ministrit:

“Ta ka dhënë përgjigjen Gjykata e Strasburgut, lëre mandatin e deputetit e përballu me gjykatën.”

Fatmir Mediu: Kemi 15 vite që ju dëgjojmë.

Feruzan Durda, babai i Edison Durdës ngrihet në këmbë:

”15 kam unë që pres. Nuk e financon Soros, se e ka marrë në 2008 çështjen. Mos të thotë kemi 15 vjet që ju dëgjojmë, se jemi ne ata që presim. Duhet ta kishim djalin 25 vjeç. Ka ditëlindjen sot.

Pavarësisht kërkesës së Mediut, gjyqtarja Gjoka vendosi të mos e përjashtojë familjen Durda nga procesi. Pas kësaj, avokatët e tij kërkuan përjashtimin e gjyqtares dhe pezullimin e seancës, por edhe kjo kërkesë u refuzua. Gjykata po ashtu rrëzoi kërkesën për të marrë si prova 9 dëshmi të dhëna në SHBA.

“Kërkesa juaj nuk është shkak për ndërprerjen e procesit,” deklaroi gjyqtarja Gjoka.

Mediu vazhdoi akuzat, duke pretenduar se çështja po përdoret për qëllime politike dhe shtoi se vendimi për demontimin ishte i ligjshëm dhe i zbatuar nga Forcat e Armatosura:

“Si ka mundësi që Altin Dumani për mënyrën e arrestimit të Ilir Metës tha se nuk ka përgjegjësi pasi ka nxjerr vetëm urdhrin, ndërsa unë qenkam përgjegjës për një vendim të rregullt që e kanë zbatuar FA?”

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u bë pas 12 vitesh, me kërkesë të familjes Durda, dhe procesi do të vijojë në seancën e radhës më 11 nëntor.