Lulzim Basha është paraqitur sot në Prokurorinë e Posaçme (SPAK), ku qëndroi për më shumë se një orë e gjysmë. Pas daljes nga institucioni, Basha dha një deklaratë të shkurtër për mediat, duke konfirmuar se ishte thirrur si person me dijeni për një çështje që po hetohet.
“Jam thirrur si person që ka dijeni për një çështje në hetim,” tha Basha, teksa shmangu të japë detaje të mëtejshme, duke theksuar se duhet të respektojë sekretin hetimor.
I pyetur nga gazetarët nëse paraqitja e tij lidhet me hetimin për ngjarjen e 21 janarit 2011, kohë kur ai mbante detyrën e Ministrit të Brendshëm, Basha nuk dha një përgjigje direkte.
“Informacionin se për cilën çështje, ju lus ta merrni te institucioni, sepse duhet të respektoj sekretin hetimor,” u shpreh ai.
Ndërsa gazetarët kërkuan të dinin nëse më 21 janar ka pasur urdhër për të qëlluar ndaj protestuesve, Basha shmangu sërish përgjigjen: “Kjo ishte gjithçka që kisha për të deklaruar për këtë çështje. Për të tjerat, me siguri ju ka marrë malli për konferencë për shtyp, por duhet të prisni dhe pak. Mirupafshim.”
Pyetur mbi rishfaqjen e tij në publik pas një periudhe të gjatë heshtjeje, Basha tha vetëm: “Konferencë për shtyp herë tjetër.”
Ngjarja vjen në një moment kur SPAK ka intensifikuar hetimet mbi disa dosje të rëndësishme, përfshirë edhe rikthimin e analizës mbi ngjarjet e 21 janarit, ku katër protestues humbën jetën para Kryeministrisë.