Dy mjeket gjinokolege Enriketa Kroi dhe Ibrime Mata janë akuzuar nga Prokuroria e Tiranës për “neglizhencë në trajtimin mjekësor”, në lidhje me rastin e një pacienteje shtatzënë që humbi foshnjën pas trajtimit të pakujdesshëm.
Hetimet filluan pas kallëzimit të pacientes G.S., ndërsa organi i akuzës ka konstatuar se të dyja mjeket në spitalin “Hugeia” kanë vepruar me pakujdesi dhe kanë shkelur protokollet standarde mjekësore.
Sipas Prokurorisë, Ibrime Mata nuk ka mbajtur historikun mjekësor të pacientes dhe nuk ka reaguar ndaj shqetësimeve të saj të përsëritura, duke mos kryer ekzaminime shtesë që mund të kishin parandaluar përkeqësimin e gjendjes.
Më pas, pacienteja iu drejtua Enriketa Kroit, e cila gjithashtu nuk mori masat e nevojshme mjekësore, pavarësisht simptomave të qarta të një gjendjeje serioze, pre-eklampsi e formës së rëndë.
Prokuroria thekson se nuk ka asnjë dokumentim për matjen e parametrave vitalë, si tensioni apo pesha, duke treguar mungesë të ndjekjes mjekësore sipas standardeve të pranuara.
Në përfundim të hetimeve, organi i akuzës ka vlerësuar se sjellja e mjekeve përbën veprën penale “Neglizhencë në trajtimin mjekësor”, parashikuar nga neni 96/2 i Kodit Penal, pasi neglizhenca e tyre çoi në humbjen e jetës së foshnjës dhe rrezik serioz për shëndetin e nënës.