Dy persona të arrestuar në lidhje me grabitjen e bujshme në Muzeun e Luvrit dy javë më parë kanë pranuar pjesërisht përfshirjen në ngjarje, konfirmuan autoritetet franceze.
Ata dyshohet se bënin pjesë në grupin që depërtoi me forcë në galerinë Apollon të muzeut, duke vjedhur disa nga xhevahiret e kurorës franceze — ndër objektet më të çmuara historike të Luvrit.
Vlera e bizhuterive të vjedhura vlerësohet në rreth 88 milionë euro (102 milionë dollarë). Grabitja ndodhi më 19 tetor, në mes të ditës, kur katër persona të armatosur me mjete elektrike për çarjen e materialeve hynë në muze, duke shpërqendruar rojet dhe shmangur sistemet e sigurisë.
Prokurorja e Parisit, Laure Beccuau, deklaroi se pjesa më e madhe e bizhuterive për momentin mbetet e pagjetur dhe se hetimet po sugjerojnë se banda mund të ketë qenë më e gjerë se katër personat e parë të identifikuar nga kamerat e sigurisë.
Kjo ngre dyshime për një operacion të organizuar mirë, me mbështetje logjistike dhe bashkëpunëtorë të tjerë ende të paidentifikuar.
Hetimet po vazhdojnë intensivisht, ndërsa autoritetet janë përqendruar në gjetjen e bizhuterive të rralla dhe identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në këtë vjedhje spektakolare, e cila ka tronditur opinionin publik dhe institucionet e sigurisë në Francë.