Ditë e përgjakshme në Rio de Janeiro/ 130 të vdekur pasi policia sulmon favelat

Rio de Janeiro ka përjetuar ditën më të përgjakshme të viteve të fundit, ku rreth 130 persona humbën jetën pas një operacioni të gjerë policor në një zonë favelash pranë aeroportit ndërkombëtar. Më shumë se 2,500 efektivë policie dhe trupa speciale ndërhynë për të goditur atë që autoritetet e konsiderojnë si bazën e një prej organizatave më të fuqishme kriminale në Brazil.

Gjatë përleshjeve, grupet kriminale ngritën barrikada, dogjën autobusë dhe vendosën postblloqe të improvizuara, duke paralizuar lëvizjen dhe përhapur panik në disa pjesë të qytetit. Mijëra persona të lidhur me bandën e armatosur raportohet se janë përfshirë në konflikt, i cili përshkallëzoi ndjeshëm dhunën.

Kryebashkiaku Eduardo Paes reagoi ashpër, duke deklaruar se “Rio nuk mund dhe nuk do të mbahet peng nga kriminelët që mbjellin terror”, ndërsa autoritetet ngritën nivelin e alarmit në shkallën 2 si pjesë e planit emergjent të sigurisë.

Për shkak të situatës kritike, 45 shkolla, qendra shëndetësore dhe klinika në zonat e prekura janë mbyllur përkohësisht. Operacioni i policisë vijon ende dhe autoritetet paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet ndërsa kontrollohen të gjitha zonat e konfliktit.

Rajoni i goditur, me rreth 280 mijë banorë, është një nga më të populluarit në qytet dhe frika për përhapje të mëtejshme të dhunës gjatë natës mbetet e lartë, duke e kthyer Rio de Janeiron në një zonë të tensionuar ku siguria publike është vënë në provë ekstreme.