Vrasje në kalanë e Beratit: 63-vjeçari me precedentë penalë në Greqi godet me thikë për vdekje turistin nga Tirana pas një konflikti për kalin

Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e sotme qytetin e Beratit, ku një 42-vjeçar nga Tirana është vrarë me thikë në ambientet e kalanës së Beratit, pas një konflikti që dyshohet se ka nisur për shkak të një kali që përdorej për xhiro turistike.

Sipas informacionit zyrtar, rreth orës 15:10, në lagjen e Kalasë, Kristo Mema, 63 vjeç, banues në lagjen “Barrikadë”, ka goditur me mjet prerës shtetasin Skënder Hoxha, 42 vjeç, banues në Tiranë. Viktima është dërguar me urgjencë në spital, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra, duke ndërruar jetë pak minuta më pas.

Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se debati mes dy burrave ka nisur për motive të dobëta, teksa autori ofronte shëtitje me kalë për turistët në zonën e kalasë. Konflikti është përshkallëzuar në dhunë, duke përfunduar tragjikisht.

Autori është shpallur në kërkim nga policia dhe vijon të jetë në arrati, ndërsa mësohet se ka precedentë penalë për një vrasje të mëparshme me thikë në Greqi.

Forcat e Policisë së Beratit po vijojnë kërkimet në terren për kapjen e 63-vjeçarit, ndërsa grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje që ka tronditur qytetin.