Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e sotme Tiranën, ku një konflikt mes dy punonjësve të një lokali në zonën e Komunës së Parisit ka përfunduar me një viktimë.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë, rreth orës 15:30, në ambientet e lokalit City Lounge, picieri Filip Shehu, 41 vjeç, ka goditur me thikë kuzhinierin Indrit Ismaillari, 34 vjeç, pas një debati të çastit që dyshohet se ka pasur motive të dobëta personale.
Ismaillari është transportuar menjëherë në spital në gjendje të rëndë, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra, duke ndërruar jetë pak më vonë.
Falë reagimit të shpejtë të policisë, autori i dyshuar është kapur menjëherë pas ngjarjes dhe është shoqëruar në Komisariat, ndërsa në vendngjarje kanë mbërritur forcat hetimore për të dokumentuar plotësisht rrethanat.
Dyshohet për bullizim dhe konflikte të vazhdueshme
Burime pranë hetimit bëjnë të ditur se autori Filip Shehu ka deklaruar se ishte viktimë e bullizimit të vazhdueshëm nga kuzhinieri, me të cilin kishte pasur edhe më parë sherre dhe debate banale. Konflikti i sotëm mendohet se ka qenë kulmi i një tensioni të akumuluar, që më pas ka degjeneruar në dhunë fatale.
Grupi hetimor po vijon punën për sqarimin e plotë të motivit dhe dinamikës së ngjarjes, ndërsa Filip Shehu ndodhet në pranga, nën akuzën e vrasjes me dashje.