Masakroi me thikë gruan në Shkodër/ 57-vjeçari amerikan i jep fund jetës në burg

Brendon Saporito, 57-vjeçari amerikan i cili vrau me thikë para disa muajsh gruan e tij, Sandra Saporito, i ka dhënë fund jetës në burg.

Raportohet se Saporito u gjet i varur në dhomën e tij nga bashkëvuajtësit në IEVP Shkodër, ndërsa mësohet se punonjësit e institucionit e kanë nxjerrë me puls dhe me shenja jete drejt urgjencës, ku stafi mjekësor i ka dhënë ndihmën e parë.

Megjithatë, pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme nga Spitali i Koplikut dhe përpjekjeve të stafit mjekësor, i paraburgosuri nuk ka arritur të mbijetojë.

Me 2 maj, Saporito në gjendje të dehur masakroi me thikë bashkëshorten dhe më pas tentoi dhe të vetëvritej duke prerë damarët, por shpëtoi nga vdekja me dëmtime të lehta.

Çifti amerikan kishte lënë Shtetet e Bashkuara të Amerikës përfundimisht për të jetuar atë që e kishin cilësuar si ‘ëndërr’ në Evropë. Fatkeqësisht një muaj pasi ishin larguar nga SHBA, ndodhi tragjedia.