Më 31 Tetor do të mbahet seanca në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtimin e kërkesës së ish-kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj. Ky i fundit ka ankimuar vendimin për shkarkimin e tij nga detyra.
Gjykata Kushtetuese në një përgjigje për gazetaren Klodiana Lala, sqaron se Veliaj do të jetë i pranishëm në seancë, madje atij i jepet dhe e drejta për të folur në seancë.
NJOTIMI I GJYKATES
Gjykata Kushtetuese, bazuar në nenet 21, pika 1 dhe 38, pikat 1 dhe 2 të ligjit nr. 8577, të ndryshuar, me shkresën nr. 28 (E) 2025 Regj.Them, datë 09.10.2025, ka njoftuar kërkuesin Erion Veliaj për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike në 31.10.2025.
Gjithashtu, ju informojmë se Gjykata Kushtetuese me shkresën nr. 28 (E) 2025 Regj.Them, datë 13.10.2025, ka njoftuar Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve duke e vënë në dijeni për datën dhe orën e zhvillimit të seancës plenare publike, si dhe marrjen e masave për shoqërimin e zotit Erion Veliaj në seancën plenare publike në rast se do të shprehej vullneti për marrjen pjesë personalisht në gjykim.