“SPAK nën presion nga krimi dhe politika”/ Dumani raporton në Kuvend: “Mos-ekstradimet nga Dubai dhe statusi i prokurorëve, problemet kryesore“

Kreu i Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani, ka raportuar sot në Kuvend mbi punën e SPAK gjatë vitit 2024, duke evidentuar disa problematika serioze që, sipas tij, po pengojnë efektivitetin e hetimeve dhe ruajtjen e pavarësisë institucionale.

Në fjalën e tij, Dumani theksoi se SPAK po përballet me presion të jashtëm nga krimi i organizuar, politika dhe media, gjë që, sipas tij, rrezikon integritetin e prokurorëve dhe procesin hetimor.

“Presioni i jashtëm ndaj SPAK nga krimi i organizuar, aktorë politikë dhe mediatik cenon pavarësinë kushtetuese të institucionit dhe efektivitetin në hetime. Ndërhyrjet e tilla mund të ndikojnë edhe në integritetin e prokurorëve. Është e nevojshme një reagim më i koordinuar i institucioneve për mbrojtjen e integritetit të SPAK,” – u shpreh Dumani.

Një nga problematikat e theksuara në raport është mungesa e një përcaktimi të qartë ligjor për statusin e prokurorëve të posaçëm pas përfundimit të mandatit të tyre.

Sipas kreut të SPAK, kjo situatë mund të cënojë standardet profesionale dhe vijimësinë e hetimeve të rëndësishme.

“Mos përcaktimi i statusit të prokurorëve pas përfundimit të mandatit rrezikon vazhdimësinë e hetimeve dhe ruajtjen e standardeve që publiku dhe partnerët ndërkombëtarë kërkojnë,” – tha ai.

Një tjetër shqetësim i ngritur nga Dumani është vazhdimi i mungesës së bashkëpunimit për ekstradimin e shtetasve shqiptarë të lokalizuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, përfshirë ata të akuzuar për korrupsion dhe krim të organizuar.

Ky problem është ngritur edhe në raportin e mëparshëm të SPAK për vitin 2023, por mbetet ende pa zgjidhje.

Në raportin e tij, Dumani listoi edhe disa çështje të tjera që kërkojnë zgjidhje institucionale dhe ligjore:

  • Mungesa e këshilltarëve ligjorë pranë SPAK, që ndikon në cilësinë e hetimeve dhe apelimeve në gjykatat e të gjitha niveleve;
  • Numri i ulët i referimeve nga institucionet publike dhe policia për veprat e korrupsionit dhe krimit të organizuar;
  • Pezullimi i sistemit të administrimit të çështjeve (Case Management System), i cili pritet të përfundojë në vitin 2025 me fonde të BE-së;
  • Nevoja për ngritjen e një njësie të posaçme analize, për mbështetjen e hetimeve komplekse dhe raportimeve ndërkombëtare;
  • Paqartësitë ligjore mbi kompetencat e gjykatave të posaçme në shqyrtimin e vendimeve penale të huaja dhe ekzekutimin e dënimeve.

Në përmbyllje, Dumani theksoi se për të garantuar pavarësinë dhe efektivitetin e SPAK-ut, është e domosdoshme që institucionet shqiptare të reagojnë në mënyrë të koordinuar dhe të mbështesin pa mëdyshje luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.