S’e dimë ku ndodhet, kishte ardhur për t’u martuar”/ Nëna e Edmond Haxhisë dëshmon në gjyqin ndaj portugezit Saraiva për vrasjen e Ardian Nikulajt

Në Gjykatën e Lezhës u zhvillua këtë të hënë një tjetër seancë gjyqësore në procesin ndaj Ruben Saraivës, shtetasit portugez të akuzuar si ekzekutori i biznesmenit mirditor Ardian Nikulaj.

Procesi, që prej muajsh ka në qendër dëshmitë e të afërmve të palëve, solli sot në sallë nënën e Edmond Haxhisë dhe të afërmen e tij, Nertila Haxhia.

Të dyja dëshmitaret pohuan se Edmond Haxhia, i cili mendohet të jetë porositësi o veasjes, kishte ardhur në Shqipëri për t’u martuar, si dhe për të përfunduar dokumentacionin e nevojshëm për udhëtimin drejt Anglisë, ku ndodhej bashkëshortja e tij.

Nëna e Edmondit, gjatë dëshmisë, tha se nuk kishte asnjë informacion për vendndodhjen e djalit të saj, ndërsa është shfaqur e rënduar emocionalisht, duke kërkuar në disa momente mbështetje nga avokati mbrojtjes.

Në përfundim të seancës, prokurori i çështjes kërkoi thirrjen e një dëshmitari të ri, ndërsa avokati i Ruben Saraivës, z. Cakrani, rikërkoi paraqitjen në gjykatë të ish-bashkëshortes së Edmond Haxhisë, e cila sipas tij mund të japë të dhëna të rëndësishme për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Gjykata ka caktuar seancën e radhës për datën 17 nëntor, ku pritet të vazhdojnë dëshmitë e dëshmitarëve dhe paraqitja e provave të reja.

Ngjarja për të cilën po gjykohet Ruben Saraiva ka ndodhur në prill të vitit 2023, kur biznesmeni Ardian Nikulaj u vra me armë zjarri në ambientet e hotelit të tij në Shëngjin. Sipas hetimeve të SPAK, vrasja dyshohet se është kryer për hakmarrje të vjetër familjare, dhe Saraiva konsiderohet pjesë e një grupi të organizuar ndërkombëtar që u angazhua për ekzekutimin.

Dëshmitë e fundit pritet të kenë rëndësi kyçe në ecurinë e procesit gjyqësor, që po ndiqet me vëmendje të lartë për shkak të karakterit të ndërlikuar dhe lidhjeve ndërkombëtare të çështjes.