“Pse e keni shpallur të paprekshëm Edi Ramën?”/ Përplasje në Kuvend mes deputetit demokrat Luçiano Boçi dhe kreut të SPAK, Altin Dumani

Në seancën e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë, kreu i SPAK, Altin Dumani, është përballur me një pyetje të drejtpërdrejtë nga deputeti demokrat Luçiano Boçi, i cili e akuzoi Prokurorinë e Posaçme se po trajton me standard të dyfishtë çështjet që lidhen me kryeministrin Edi Rama.

“Pse SPAK e ka shpallur të paprekshëm Edi Ramën? Pse nuk mban ai përgjegjësi penale?”, ishte pyetja e Boçit, duke iu referuar aferës së inceneratorëve dhe disa vendimeve qeveritare të miratuara nga kreu i qeverisë.

Në përgjigje, Altin Dumani theksoi se për SPAK “askush nuk është i paprekshëm”, duke nënvizuar se hetimet kryhen mbi bazën e provave dhe jo të emrave.

“Për SPAK nuk ka asnjë të paprekshëm. Në çdo procedim penal të regjistruar, hetohet fillimisht në drejtim të faktit penal dhe më pas të autorit të veprës penale. Kryhen hetime të gjithanshme dhe objektive, me qëllim grumbullimin e provave dhe ngritjen e akuzave,” deklaroi Dumani para deputetëve.

Deklarata e kreut të SPAK vjen në një kohë kur tensionet politike mbi hetimet për aferën e inceneratorëve janë shtuar ndjeshëm. Opozita akuzon prokurorinë për favorizim të qeverisë dhe mungesë guximi për të hetuar kryeministrin, ndërsa mazhoranca ka mbështetur publikisht punën e Dumanit dhe të institucioneve të drejtësisë.

Kujtojmë se vetëm pak muaj më parë, kryeministri Rama kishte reaguar ndaj kritikave për ndërhyrje në drejtësi, duke thënë me tone ironike:

“Mos të bëjnë gabim të vijnë të kërkojnë telefonin tim, boll i kanë. Kanë mbledhur të gjithë telefonat e Shqipërisë.”