U përfshi në aksidentin ku vdiq 16-vjeçari, Gjykata e Fierit nxjerr nga burgu profesorin italian kundrejt pagesës së garancisë

Pedagogu italian i biologjisë në Universitetin e L’Aquilas, Michele D’Angelo, është liruar me kusht nga paraburgimi në Shqipëri, pas ndërhyrjes së diplomacisë italiane. Aksidenti në të cilin ai u përfshi, ndodhur në Fier, përfundoi tragjikisht me vdekjen e një 16-vjeçari nga Patosi dhe plagosjen e tre të tjerëve.

Sipas Top Channel, vendimi i gjykatës parashikon lirimin e D’Angelos pas pagesës së një garancie prej 15 mijë eurosh. Megjithëse Prokuroria e Fierit nuk ka përfunduar ende hetimet, mediat italiane raportojnë se ekspertiza përfundimtare pritet ta nxjerrë të pafajshëm, për akuzat e “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor” dhe “braktisjes së vendngjarjes”.

Burime të afërta me hetimin bëjnë me dije se procedurat ligjore duhet të mbyllen deri në mesin e nëntorit, por ndërhyrja e strukturave diplomatike përshpejtoi afatet, duke i mundësuar profesorit të kthehej në Itali së bashku me bashkëshorten e tij, Vannesa.

Operacioni për lirimin e pedagogut përfshiu autoritetet më të larta italiane dhe shqiptare, ndërsa Universiteti i L’Aquilas dhe komuniteti akademik ndërmorën një fushatë mbështetëse për sigurimin e fondeve të nevojshme për lirimin e tij.

Ndërkohë, deputeti italian Luciano D’Alfonso kishte dërguar një letër zyrtare Presidentit Bajram Begaj, ku e cilësonte të padrejtë mbajtjen e gjatë në burg të profesorit, ndërsa sot mediat italiane e cilësojnë lirimin e tij si një fitore të diplomacisë dhe bashkëpunimit institucional mes dy vendeve.