Aktorja e njohur shqiptare Delinda Disha ka bërë publik lajmin se do të kandidojë për kryetare të Bashkisë së Tepelenës në zgjedhjet e pjesshme vendore që do të mbahen më 9 nëntor. Njoftimin ajo e dha përmes një postimi në Instagram Story, ku shkroi:
“Mirëmëngjes miq! Nga sot jam e lumtur të ndaj me ju lajmin si kandidate e pavarur për kryetare në Bashkinë Tepelenë! Me respekt, Delinda Zhupa Disha.”
Me këtë vendim, Disha bëhet aktorja e dytë që hyn në garën elektorale, pas Florian Binajt, i cili ka shpallur kandidaturën e tij për Bashkinë e Tiranës.
Delinda Disha është bërë e famshme për rolet e saj plot energji dhe spontanitet në spektaklin “Portokalli”, ku u bë një nga emrat më të spikatur të skenës. Ajo ka qenë gjithashtu pjesë e trupës së “Klanifornisë”, duke vazhduar të mbetet një ndër aktoret më aktive dhe të pëlqyera të komedisë televizive.
Së fundmi, Delinda ka treguar një interes të shtuar për çështjet sociale dhe komunitare, duke u angazhuar në debate publike për çështje që prekin qytetarët e thjeshtë.
Fushata e saj pritet të tërheqë vëmendje të madhe mediatike, jo vetëm për shkak të profilit të saj publik, por edhe si pjesë e një prirjeje në rritje ku figura nga arti e kultura po përfshihen në politikë me synimin për të ndikuar pozitivisht në jetën publike.