Një ngjarje e pazakontë është regjistruar këtë pasdite në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit, ku autoritetet kufitare kanë ndaluar hyrjen në territorin shqiptar të një shtetasi të huaj të konsideruar person me rrezik për sigurinë kombëtare.
Burime për Top Channel bëjnë me dije se bëhet fjalë për predikuesin islam Imran Hosein, me origjinë nga Trinidad & Tobago, i cili ishte nisur nga Amerika e Jugut drejt Shqipërisë për të marrë pjesë në aktivitete me karakter fetar.
Megjithatë, strukturat e sigurisë shqiptare kishin në dispozicion informacione që e lidhin emrin e tij me çështje të natyrës terroriste, çka çoi në vendimin për t’ia ndaluar hyrjen në vend. Aktualisht, Hosein po mbahet në ambientet e Rinasit deri në përfundimin e procedurave për kthimin e tij në vendin e nisjes.
Imran Hosein është një figurë e njohur në botën islame si studiues dhe ligjërues mbi eshatologjinë (shenjat e fundit të kohës), ekonominë islame dhe politikën globale. Ai është autor i disa librave dhe ka mbajtur ligjërata në vende të ndryshme të botës.
Temat e tij shpesh lidhen me interpretimin fetar të ngjarjeve ndërkombëtare, veçanërisht me rolin e Izraelit në kontekstin e profecive islame, që sipas tij lidhen me fundin e botës. Pikërisht këto interpretime e kanë bërë figurë kontroverse, duke shkaktuar kritika nga dijetarë dhe institucione të ndryshme islame për qasje të konsideruara si jashtë standardeve të zakonshme të teologjisë tradicionale.
Në pritje të zhvillimeve të mëtejshme, autoritetet shqiptare nuk kanë dhënë ende një deklaratë zyrtare për arsyet specifike të refuzimit të hyrjes së tij në vend.