Behgjet Pacolli akuzon noteren për veprime të paligjshme në çështjen e aeroportit të Vlorës: “Asnjëherë s’e kam takuar, akti është i falsifikuar”

Miliarderi dhe pronari i Aeroportit të Vlorës, Behgjet Pacolli, ka reaguar ashpër ndaj zhvillimeve të fundit që lidhen me administrimin e kompanisë “VIA” dhe pronësinë e aksioneve në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës. Përmes një deklarate publike, Pacolli ka akuzuar noteren Vjollca Selimi për veprime të dyshuara të kundërligjshme dhe të kryera në mënyrë të fshehtë, duke theksuar se çdo lajm që ka qarkulluar kohët e fundit për problematika në aeroport ka ardhur si pasojë e këtyre veprimeve.

Në deklaratën e tij, Pacolli sqaron se noterja në Tiranë, Valbona (Vjollca) Selimi, ka pretenduar se palët kanë qenë të pranishme gjatë nënshkrimit të aktit të transferimit të aksioneve nga kompania zvicerane MABCO Construction SA në shoqërinë “2A”. Por sipas tij, ky pretendim është plotësisht i pavërtetë.

“As unë dhe as ndonjë person i autorizuar nga MABCO Construction SA, me seli në Lugano, pronare e 98% të aksioneve që lidhen me investimin në Aeroportin e Vlorës, nuk kemi qenë ndonjëherë në zyrën e saj. Nuk e kemi takuar noteren Selimi, nuk kemi pasur asnjë komunikim me të apo me përfaqësuesit e saj dhe nuk kemi nënshkruar asnjë dokument apo prokurë në praninë e saj,” – thekson Pacolli.

Ai shton se deri më sot nuk ka dijeni as për vendndodhjen e zyrës noteriale të Selimit.

Sipas biznesmenit kosovar, noterja ka përfshirë në një akt noterial të vitit 2023 deklarime të pavërteta, duke pretenduar se ai ka qenë fizikisht i pranishëm në zyrën e saj dhe ka nënshkruar një dokument në prani të një përkthyeseje të gjuhës angleze.

“Këto pretendime janë plotësisht të rreme. Nuk e njoh noteren Selimi, nuk kam qenë asnjëherë në ambientet e saj dhe asnjë tekst nuk më është paraqitur apo lexuar nga ajo ose nga ndonjë person tjetër,” – deklaron Pacolli.

Sipas tij, akti noterial në fjalë përbën një pjesë kyçe të një veprimtarie të dyshuar të paligjshme, të ndërmarrë nga Valon Lluka dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët në prill të këtij viti kanë tentuar të transferojnë 47% të aksioneve të Aeroportit të Vlorës, duke e mbajtur këtë fakt të fshehtë për disa muaj.

Pacolli sqaron se tentativa është zbuluar rastësisht më 18 gusht 2025, gjatë një verifikimi në dokumentacionin e ish-administratorit të shoqërisë “VIA”.

“Ky akt i kryer në mënyrë të fshehtë përbën burimin dhe shkakun fillestar të gjithë kësaj situate me të cilën po përballemi sot,” – përfundon Pacolli.