Pas më shumë se tre vitesh pa asnjë gjurmë apo informacion për fatin e tij, babai i Ervis Martinajt, Mustafa Martinaj, ka kërkuar zyrtarisht shpalljen e djalit të tij si person i zhdukur.
Kërkesa është depozituar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm në Lezhë, ku Mustafa Martinaj ka kërkuar që djali i tij, Ervis Martinaj, lindur më 6 tetor 1982 në Burrel dhe banues në Fushë-Kuqe, Patok, Kurbin, të shpallet ligjërisht si person i zhdukur.
Sipas dokumenteve gjyqësore, Ervis Martinaj është parë për herë të fundit në gusht të vitit 2022, dhe që prej asaj kohe, autoritetet nuk kanë arritur të sigurojnë asnjë provë konkrete mbi vendndodhjen apo gjendjen e tij.
Ervis Martinaj, i njohur për vite me radhë si “mbreti i bixhozit” në Shqipëri, ishte një biznesmen me ndikim në fushën e lojërave të fatit dhe basteve sportive. Ai ishte themelues i kompanive të njohura “King Casino” dhe “Albania Baste Live”, përmes të cilave ndërtoi një rrjet të gjerë biznesesh dhe krijoi një pasuri të konsiderueshme.
Megjithatë, aktiviteti i tij ishte shpesh nën hetim nga autoritetet ligjzbatuese për pastrim parash, evazion fiskal dhe lidhje me grupe kriminale. Emri i Martinajt u përmend në disa dosje të rëndësishme hetimore dhe ngjarje kriminale që tronditën opinionin publik.
Një nga momentet më të njohura të përfshirjes së tij në ngjarje kriminale ishte përplasja me armë në zonën e ish-Bllokut në vitin 2018, ku mbeti i vrarë një person dhe vetë Martinaj u plagos. Prej asaj kohe, ai ishte nën vëzhgimin e policisë dhe të strukturave të posaçme të drejtësisë.
Në fillim të gushtit 2022, Martinaj rezulton të ketë humbur çdo kontakt. Sipas hetimeve, kontakti i fundit i dokumentuar daton më 8 gusht 2022, kur ai u pa në një zonë pranë “Zogut të Zi” në Tiranë, duke u larguar me një automjet luksoz. Pamjet e kamerave të sigurisë e kanë fiksuar në lëvizje atë ditë, por më pas çdo gjurmë është zhdukur.
Dy pistat kryesore të hetimit
Autoritetet kanë hetuar në dy drejtime kryesore: Vrasje nga grupe rivale kriminale, për shkak të konflikteve të shumta të Martinajt në botën e krimit të organizuar ose inskenim i zhdukjes, me qëllim shmangien e ndjekjes penale dhe hakmarrjeve të mundshme.
Megjithatë, deri më sot, asnjëra nga pistat nuk është provuar me fakte konkrete, ndërsa hetimet kanë mbetur pa rezultat përfundimtar.
Familjarët e tij kanë pohuar vazhdimisht se besojnë se Ervis Martinaj është vrarë dhe trupi i tij është zhdukur, ndërsa kërkesa e fundit e babait të tij për ta shpallur ligjërisht të zhdukur shihet si një hap formal pas dështimit të çdo përpjekjeje për ta gjetur.