Nga 1 janari 2026, sigurim i diferencuar për makinat: shoferët problematikë do të paguajnë më shumë

Drejtuesit e mjeteve që kanë historik negativ me aksidente apo shkelje të rënda të qarkullimit do të paguajnë më shumë siguracion për automjetet e tyre, duke filluar nga 1 janari 2026. Ndërkohë, shoferët korrektë, që nuk kanë shkaktuar aksidente apo shkelje, do të përfitojnë ulje në çmimin e sigurimit.

Ky ndryshim vjen si rezultat i zbatimit të sistemit “bonus-malus”, një praktikë e përdorur gjerësisht në vendet e Bashkimit Europian, që synon të nxisë përgjegjësinë dhe kujdesin në drejtimin e automjeteve.

Gjatë raportimit në Komisionin e Ekonomisë, drejtoresha e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Mimoza Kaçi, theksoi se ky është një hap i rëndësishëm drejt ndryshimit të kulturës së drejtuesve në rrugë.

“Mund të mos jetë një model perfekt, por është një hap i madh për të ndryshuar perceptimin e qytetarëve, që të tregojnë më shumë kujdes në drejtimin e mjeteve. Që prej 1 janarit 2026 do të hyjë në zbatim si bonusi për shoferët korrektë, ashtu edhe malusi për ata që shkelin rregullat,” – tha Kaçi.

Ajo sqaroi se, sipas analizave të AMF-së, rreth 3.8% e drejtuesve të mjeteve në Shqipëri do të penalizohen, pasi kanë një historik dëmesh, ndërsa pjesa tjetër do të përfitojë zbritje në siguracion, në varësi të performancës së tyre në rrugë.

Sistemi “bonus-malus” do të mundësojë përcaktimin individual të riskut për çdo drejtues, duke u bazuar në të dhëna të verifikuara nga kompanitë e sigurimeve dhe institucionet përkatëse.

Ky model pritet të ulë ndjeshëm numrin e aksidenteve dhe të rrisë ndërgjegjësimin e shoferëve, ndërsa për herë të parë, çmimi i sigurimit nuk do të jetë më i njëjtë për të gjithë, por do të pasqyrojë historikun personal të drejtimit të automjetit.